Refuzimi i autoriteteve për të zëvendësuar termin “mashkull” me termin “neutral” ose “interseks” në certifikatën e lindjes në përputhje me Nenin 8 të Konventës

Në rastin Y kundër Francës (kërkesa nr. 76888/17, 31.01.2023) Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut vendosi me gjashtë vota pro dhe një kundër se nuk ka pasur shkelje të Nenit 8 (e drejta për respektimin e jetës private dhe familjare) të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut. 

Kërkuesi, i cili është person biologjikisht interseks, ankohet për shkak të refuzimit të gjykatave vendore që t’ia miratojnë kërkesën që fjala “neutral” ose “interseks” të figurojë në certifikatën e tij të lindjes në vend të “mashkull”.
Në shqyrtimin e rastit nën dritën e detyrimit pozitiv të Shtetit për t’i siguruar kërkuesit respektim efektiv të jetës së tij private, Gjykata vërtetoi nëse interesi i përgjithshëm ishte peshuar me të vërtetë kundrejt interesave të kërkuesit.

Gjykata vuri në dukje, së pari, se një aspekt thelbësor i identitetit intim individual ishte qenësor për rastin në fjalë, gjegjësisht se identiteti gjinor ishte në pyetje, dhe pranoi se mospërputhja mes identitetit biologjik të kërkuesit dhe identitetit të tij ligjor mund t’i shkaktonte atij vuajtje dhe ankth. Gjykata më pas pranoi se argumentet e paraqitura nga autoritetet vendore për refuzimin e kërkesës së kërkuesit, duke u bazuar në respektimin e parimit të patjetërsueshmërisë së gjendjes civile dhe nevojën për të ruajtur konsistencën dhe besueshmërinë e të dhënave të gjendjes civile dhe të rregullimeve sociale e ligjore në Francë ishin relevante. Gjykata mori gjithashtu parasysh arsyetimin e Gjykatës së Kasacionit për efektin se njohja gjyqësore e një gjinie “neutrale” do të kishte pasoja të gjera për rregullat e ligjit francez, të ndërtuara në bazë të dy gjinive, dhe do të nënkuptonte shumë ndryshime legjislative koordinuese.

Pasi vuri në dukje se Gjykata e Apelit e Orléansit kishte konsideruar se miratimi i kërkesës së kërkuesit do të nënkuptonte njohjen e ekzistencës së një kategorie tjetër gjinore dhe së këndejmi edhe ushtrimin e funksionit anormativ, që ishte në parim një çështje për legjislaturën dhe jo për gjyqësorin, Gjykata vuri në dukje se respektimi i parimit të ndarjes së pushteteve, pa të cilin nuk kishte demokraci, kishte qenë kështu në thelb të konsideratave të gjykatave vendore.

Duke pranuar se megjithëse kërkuesi deklaroi se nuk po kërkonte miratimin e të drejtës për njohjen e një gjinie të tretë, por vetëm ndreqjen e gjendjes së tij civile, Gjykata vuri në dijeni se nëse do të mbështeste pretendimin e kërkuesit kjo do të thoshte domosdoshmërisht se Shteti në fjalë, për të hequr detyrimet e tij sipas Nenit 46 të Konventës, do të duhej ta rimendonte ligjin e tij vendor për këtë qëllim; dhe si rrjedhojë, Gjykata konsideroi se edhe kjo ishte e nevojshme për të ushtruar kufizim.

Në çështjet e politikës së përgjithshme mbi të cilat opinionet brenda një shoqërie demokratike mund të ndryshonin në mënyrë të arsyeshme, peshë e veçantë duhej t’i jepej rolit politikëbërësit vendor.
Kjo vlente sidomos për rastin në fjalë ku kjo ishte çështja për të cilën shoqëria do të duhej të bënte një zgjedhje. Në mungesë të një konsensusi europian në këtë fushë, për këtë arsye e përshtatshme t’i lihej çështja Shtetit në fjalë për të përcaktuar se me çfarë shpejtësie dhe deri në ç’masë mund të përmbushte kërkesat e personave interseks, siç ishte kërkuesi, Gjykata arriti në përfundimin se, duke pasur parasysh diskrecionin (“marzhën e vlerësimit”) që gëzonte Shteti anëtar, Franca nuk kishte dështuar në detyrimin e saj pozitiv për të siguruar respekt efektiv për jetën private të kërkuesit; rrjedhimisht, nuk kishte pasur asnjë shkelje të Nenit 8 të Konventës.

Referencat nga faqja zyrtare e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut