Forumi i 8-të Rajonal Vjetor i Sundimit të Ligjit për Evropën Juglindore

3-4 Shtator 2021

Më 3 dhe 4 shtator 2021, Qendra AIRE dhe Mbrojtësit e të Drejtave Civile do të organizojnë Forumin e Tetë Rajonal të Shtetit të së Drejtës për Evropën Juglindore.

Forumi do të përbëhet nga një konferencë qendrore në Dubrovnik, ku do të marrin pjesë Kryetari i Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, gjyqtarë/e aktualë/e dhe ish-gjyqtarë/e të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut  dhe ish-Drejtori dhe Sekretari i Komisionit të Venedikut të Këshillit të Evropës. Përfaqësues/e nga tërë rajoni do të takohen në qendrat kombëtare të punës në Beograd, Podgoricë, Prishtinë, Sarajevë, Shkup, Tiranë dhe Zagreb, ku pjesëmarrësit/et do të përfshijnë kryetarë/e dhe gjyqtarë/e të gjykatave supreme dhe kushtetuese, ombudspersona, agjentë/e të qeverive para Gjykatës së Strasburgut, përfaqësues/e të qendrave dhe akademive juridike, përfaqësues/e të OJQ-ve, si dhe ekspertë/e të mirënjohur/a të ligjit nga tërë rajoni.

Forumi do të jetë ngjarje interaktive, ku pjesëmarrësit/et nga tërë rajoni do të kenë mundësinë për t’u lidhur dhe për të komunikuar me konferencën qendrore dhe me njëri-tjetrin përmes videolidhjes së drejtpërdrejtë (live).

Forumi mbështetet nga Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar, Qeveria e Suedisë, Fondacioni Konrad Adenauer, dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Mbretërisë së Holandës.

Pavarësia dhe paanshmëria e gjyqësorit

Tema e Forumit këtë vit është “pavarësia dhe paanshmëria e gjyqësorit”.

Të kuptuarit dhe të zbatuarit e kritereve për të drejtën për seancë dëgjimore nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme e ngritur me ligj sipas nenit 6 të KEDNj-së janë dy aspekte thelbësore të përpjekjeve për fuqizimin e shtetit të së drejtës në Ballkanin Perëndimor.

Është e qartë se ekzistenca e një sistemi gjyqësor të pavarur dhe të paanshëm është e nevojshme në mënyrë që autoritetet e Shtetit të japin llogari kur veprimet e tyre rrezikojnë ose janë në kundërshtim me parimet e shtetit të së drejtës. Megjithatë, pyetja se ku saktësisht duhet të vihet ekuilibri i pushteteve mes degëve të ndryshme të qeverisë është më e vështirë. Në fakt, si GjEDNj-ja ashtu edhe GjDBE-ja vazhdojnë të zhvillojnë qëndrimet e tyre karshi pyetjeve të tilla, gjë që e bën këtë temë posaçërisht aktuale për Forumin e këtij viti.

Forumi do të ofrojë mundësinë për të qartësuar parimet dhe kriteret kyçe të zhvilluara nga GjEDNj-ja në lidhje me të drejtën për seancë dëgjimore nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme e ngritur me ligj, duke marrë parasysh zhvillimet e kohëve të fundit në Gjykatë. Këtu do të përfshihen diskutime rreth kritereve kyçe për të përcaktuar nëse një gjykatë është e pavarur, e paanshme dhe e ngritur me ligj, si dhe analiza të marrëdhënies mes pavarësisë dhe paanshmërisë dhe neneve të tjera të Konventës.

Ekspertë/e të fushës gjithashtu do të reflektojnë mbi sfidat kryesore për ruajtjen e pavarësisë dhe paanshmërisë në rajon. Në fund, si gjithmonë, Forumi do të inkurajojë dialogun dhe bashkëpunimin mes ekspertëve/eve drejt gjetjes së mënyrave më efektive dhe praktike se si mund të punojnë vendet e rajonit për t’i kapërcyer këto sfida.

Raporto