09 Gus Aktgjykimi i Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut kundër Rumanisë për shkeljen e Nenit 6 të Konventës gjatë procedurës së marrjes së shtesës familjare.
Në rastin Negrea dhe Të Tjerët kundër Rumanisë (parashtresa nr. 53183/07, 24/07/2018) Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut ka gjetur njëzëri se ka pasur shkelje të Nenit 6 § 1 (e drejta për gjykim të drejtë brenda kohës së arsyeshme) dhe shkelje e Nenit 13 (e drejta për mjet efektiv) së bashku me Nenin 6 § 1 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut.
Rasti, ndër të tjera, kishte të bënte me pretendimet e diskriminimit të tërthortë mbi bazën e përkatësisë etnike rome sa i përket të drejtës për shtesa familjare.
Parashtruesit janë shtetas rumunë të përkatësisë etnike rome. Dispozitat ligjore në fuqi në periudhën gjegjëse (nga 2001 deri më 2003) siguronin garantimin e të drejtave të ndryshme sociale, siç janë shtesat për nënat dhe shtesat për fëmijët, në kohën kur parashtruesit bashkëjetonin me partnerët e tyre. Secila parashtruese kishte lindur fëmijë jashtëmartesor, dhe të gjithë fëmijët ishin pranuar nga baballarët e tyre gjegjës. Parashtrueset deklaruan se zyrtari komunal në qytetin e tyre refuzoi t’i regjistronte aplikacionet e tyre për shtesa mbi bazën se ata nuk ishin të kurorëzuara me baballarët e fëmijëve të tyre.
Parashtrueset dorëzuan ankesë penale kundër zyrtarit komunal të qytetit Frata si dhe kundër kryebashkiakut të qarkut Turda nën akuzën e keqpërdorimit të autoritetit.
Gjykata së pari konsideroi se procedurat të cilat zgjatën shtatë vjet e nëntë muaj, kohëzgjatje që nuk mund t’i atribuohej as kompleksitetit të rastit e as sjelljes së parashtrueseve, nuk përmbushi obligimin e “kohës së arsyeshme”. Megjithatë, Gjykata gjeti se nuk kishte prova të prekshme në këtë rast për të dëshmuar se individët e përkatësisë etnike rome kishin qenë më të prekur se të tjerët, dhe gjithashtu vlerësoi se nuk kishte pasur trajtim diskriminues nga ana e autoriteteve. Në fund, Gjykata vlerësoi se në kohën gjegjëse nuk kishte pasur mjet efektiv në Rumani për t’u ankuar ndaj stërgjatjes së procedurave. Andaj, ka pasur shkelje të Nenit 6 § 1 dhe të Nenit 13 të Konventës.
Referencat nga faqja zyrtare e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut.