Aktgjykimi kundër Serbisë për kohëzgjatjen e paarsyeshme të paraburgimit

Në rastin Purić dhe R.B. kundër Serbisë, Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut (Kërkesat nr. 27929/10 dhe 52120/13) ka gjetur se ka pasur shkelje të Nenit 5 § 3 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut.

Kërkuesit janë shtetas serbë, z. Sveto Purić (kërkuesi i parë) dhe R.B. (“kërkuesi i dytë”).

Më 22 shkurt 2007 Gjykata e Qarkut në Smederevë (Okružni sud u Smederevu) urdhëroi ndalimin e kërkuesit të parë me dyshimin e marrjes së ryshfetit dhe mbajtjen e paligjshme të armëve dhe materialeve eksplozive. Që nga 11 shtatori 2007 kërkuesi i parë u mbajt në paraburgim vetëm mbi bazën e ashpërsisë së dënimit potencial dhe natyrës së krimit të supozuar. Në arsyetimin e saj gjykata mbështetej, ndër të tjera, në faktin se sjellja kriminale dyshohej se kishte ndodhur për një periudhë të gjatë kohe dhe se kërkuesi i parë kishte qenë dekani i Fakultetit Juridik të Kragujevac në kohën relevante. Procedurat penale ende vazhdojnë.

Më 3 nëntor 2011 gjykata kompetente urdhëroi ndalimin e kërkuesit të dytë me dyshimin e abuzimit seksual të një fëmije. Gjykata kompetente zgjati paraburgimin e kërkuesit të dytë në disa raste. Ne veçanti, në periudhën nga 18 qershori deri më 17 gusht 2012 kërkuesi i dytë u mbajt në paraburgim, në përputhje me një vendim të 15 qershorit 2012, mbi bazën e vetme të ashpërsisë së dënimit të mundshëm dhe natyrës së krimit të supozuar. Më 17 gusht 2012 kërkuesi i dytë u shpall fajtor për abuzimin seksual të një fëmije dhe u dënua me nëntë vjet burg.

Gjykata iu referua parimeve të saj të përgjithshme sipas nenit 5 § 3 të Konventës në lidhje me të drejtën e lirimit në pritje të gjykimit. Në veçanti, arsyetimi për çfarëdo periudhe paraburgimi, pavarësisht sa e shkurtë është, duhet të dëshmohet bindshëm nga autoritetet. Për më tepër, përderisa është e vërtetë se për shkak të peshës së tyre dhe reagimit të publikut ndaj tyre, vepra të caktuara mund të shkaktojnë shqetësim shoqëror që mund të justifikojnë paraburgimin, kjo bazë mund të vlerësohet si e rëndësishme dhe e mjaftueshme vetëm me kusht që të jetë e bazuar në fakte të mund të tregojnë se lirimi i të akuzuarit në të vërtetë do të prishte rendin publik.

Gjykata vuri në dukje se ajo ka gjetur shkelje të kësaj dispozite në lidhje me Serbinë në një situatë të ngjashme (çështja Lakatoš dhe të tjerët kundër Serbisë, nr. 3363/08, 7 janar 2014). Ajo ka marrë parasysh se Qeveria nuk ka paraqitur ndonjë fakt apo argument që ka mundur ta bindë Gjykatën për të ardhur një përfundim të ndryshëm në rastin konkret. Gjykatat vendore e kanë vlerësuar nevojën për të vazhduar paraburgimin e kërkuesve nga një këndërshtrim mjaft abstrakt dhe formalist, duke u mbështetur vetëm në ashpërsinë e dënimit të mundshëm dhe natyrën e krimit të pretenduar. Kështu, autoritetet a kanë zgjatur paraburgimin e kërkuesve në pritje të gjykimit për arsye të cilat nuk mund të vlerësohen si “të mjaftueshme” për të justifikuar kohëzgjatjen e tyre. Andaj, ka pasur shkelje të Nenit 5 § 3 të Konventës.

Referencat nga faqja zyrtare e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut.