CPT-ja publikon raport nga vizita e saj ad hoc në Kroaci nga viti 2020

Komiteti i Këshillit të Europës për Parandalimin e Torturës dhe Trajtimit ose Dënimit Çnjerëzor ose Poshtërues (CPT) ka publikuar një raport mbi vizitën ad hoc në Kroaci nga periudha 10-14 gusht 2020. Raporti bëhet publik në bazë të Rregullit 39§3 (*) të Rregullave të procedurës së CPT-së, pas deklaratave me shkrim të bëra nga një zyrtar i lartë kroat mbi përmbajtjen e raportit, të cilat u bënë publike. Komiteti i konsideroi deklaratat e tilla si keqinterpretim të përmbajtjes së raportit, integritetit profesional dhe modus operandi të anëtarëve të delegacionit të CPT-së. Si rrjedhojë, Komiteti vendosi ta publikonte plotësisht raportin e vizitës.

Në raport, CPT-ja u bën apel autoriteteve kroate të ndërmarrin veprim të vendosur për të ndaluar keqtrajtimin e emigrantëve nga policët dhe për të siguruar që rastet e keqtrajtimeve të dyshuara të hetohen efektivisht. Komiteti zhvilloi një vizitë të reagimit të shpejtë në Kroaci nga 10 deri më 14 gusht 2020, në veçanti përgjatë kufirit me Bosnje dhe Herzegovinën (BiH), për të shqyrtuar trajtimin dhe masat mbrojtëse që u jepen emigrantëve të privuar nga liria nga policia kroate.

Raporti thekson se për herë të parë që kur CPT-ja nisi të vizitojë Kroacinë më 1998, pati vështirësi të dukshme të bashkëpunimit. Thuhet se delegacionit të CPT-së iu dhanë informata jo të plota rreth vendeve ku emigrantët mund të privohen nga liria dhe u penguan nga zyrtarët e policisë në qasjen në dokumentacionin e nevojshëm për delegacionin për të kryer mandatin e Komitetit.

Raporti dokumenton disa raste të emigrantëve që u janë nënshtruar formave të tjera të keqtrajtimit të rëndë nga policët kroatë, si rastet e emigrantëve që detyrohen të ecin nëpër pyll deri në kufi këmbëzbathur dhe të hidhen me duart e lidhura në lumin Korana, i cili ndan Kroacinë nga BiH. Disa emigrantë thuhet se janë kthyer në BiH vetëm në të brendshmet e tyre dhe në disa raste, lakuriq. 

Duke pasur parasysh sfidat e mëdha me të cilat përballen autoritetet kroate për t’u marrë me një numër të madh emigrantësh që hyjnë në vend, CPT-ja thekson nevojën për një qëndrim të përbashkët evropian. Megjithatë, përkundër këtyre sfidave, Kroacia duhet të përmbushë detyrimet e saj të të drejtave të njeriut dhe t’i trajtojë emigrantët që hyjnë në vend nëpërmjet kufirit në mënyrë njerëzore dhe dinjitoze.

Si përfundim, CPT-ja më tej deklaroi se ata dëshirojnë të zhvillojnë dialog konstruktiv dhe bashkëpunim kuptimplotë me autoritetet kroate, duke përfshirë nivelet më të larta politike, lidhur me seriozitetin e praktikës së keqtrajtimit të emigrantëve nga zyrtarët e policisë kroate dhe një angazhim që keqtrajtimi i tillë të ndërpritet.

Raporti i plotë gjendet këtu: https://rm.coe.int/1680a4c199

Referencat nga faqja Këshillit të Europës