Dënimi i pop këngëtares për blasfemi shkel Konventën

Në rastin Rabczewska kundër Polonisë (kërkesa nr. 8257/13, 15.09.2022) Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut,e gjashtë vota për dhe një kundër, ka gjetur se ka pasur shkelje të Nenit 10 (liria e shprehjes) të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut.

Rasti kishte të bënte me një pop këngëtare në Poloni, të njohur si Doda, dhe komentet që kishte bërë ajo në një intervistë rreth Biblës të cilat, sipas gjykatave, përbënin blasfemi. Pas ankesës që bënë dy individë, autoritetet ndjekëse ngritën aktakuzë kundër saj për fyerjen e ndjenjave të tyre fetare – vepër penale sipas Nenit 196 të Kodit Penal. Në janar të vitit 2012, Gjykata e Qarkut e Varshavës e ndëshkoi sipas aktakuzës dhe i shqiptoi gjobën prej 5,000 zloty (rreth 1,160 euro). Gjykata vendosi në veçanti se deklaratat e saj që linin të kuptohej se autorët e Biblës e kishin shkruar atë nën ndikimin e alkoolit dhe të drogës ishin qëllimisht fyese dhe shfaqnin urrejtje ndaj besimtarëve.

Së pari, Gjykata vuri re se intervista e kërkueses përmbante deklaratat të cilat mund të trondisnin apo të shqetësonin disa njerëz. Gjykata ripërsëriti se qëndrimet e tilla ishin mbrojtur me Konventë, me kusht që ato të mos nxisnin urrejtje apo jotolerancë fetare. Megjithatë, nuk ishte argumentuar se deklaratat e saj përbënin gjuhë të urrejtjes. Po ashtu, nuk ishte përcaktuar se deklaratat e saj mund të ishin nxitëse apo të arsyetonin dhunën, urrejtjen apo jotolerancën dhe se ndërhyrja në të drejtën e saj të lirisë së shprehjes ishin të nevojshme për të siguruar bashkëjetesën paqësore mes grupeve dhe individëve fetarë dhe jofetarë në Poloni.

Ç’është e vërteta, gjykatat vendore kishin dështuar të vlerësonin në mënyrë gjithëpërfshirëse kontekstin e gjerë të deklaratave të kërkueses, që nuk kishin për qëllim të kontribonin në ndonjë debat serioz mbi çështjet fetare por ishin bërë si përgjigje rreth pyetjeve mbi jetën e saj private, me një gjuhë të larmishme që kishte për qëllim të zgjonte interesimin e publikut të saj të ri. Në përgjithësi, gjykatat kishin dështuar të identifikonin dhe të peshonin me kujdes interesat konkurrues në fjalë, gjegjësisht të drejtën e saj të lirisë së shprehjes kundrejt të drejtës së të tjerëve për mbrojtjen e ndjenjave të tyre fetare dhe paqes fetare të mbrojtur në shoqëri. 

Gjykata gjeti se gjykatat vendore, përkundër diskrecionit të madh për të vendosur për çështjet lidhur me interesin e shoqërisë si të tërë, kishin dështuar të ofronin arsye të mjaftueshme për të justifikuar ndëshkimin e kërkueses dhe ndërhyrjen në lirinë e saj të shprehjes. Për më tepër, dënimi i shqiptuar ndaj kërkueses – dënim penal dhe gjoba pesëdhjetëfish më e madhe se minimumi – nuk mund të konsiderohej i papërfillshëm. Së këndejmi, kishte pasur shkelje të Nenit 10 të Konventës.

Referencat nga faqja zyrtare e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut