Detyrimi i shtetit sipas Nenit 2 për të mbrojtur jetën e anëtarëve të familjes kundër babait të dhunshëm

Në rastin Kurt kundër Austrisë (kërkesa nr. 62903/15, 15.06.2021) Dhoma e Madhe e Gjykatës Evuropiane për të Drejtat e Njeriut gjeti se nuk kishte pasur shkelje të Nenit 2 (e drejta për jetë) të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut. 

Rasti kishte të bënte me vrasjen e djalit të kërkueses nga babai pas pretendimeve të mëparshme për dhunë në familje nga kërkuesja kundër babait. Kërkuesja, Senay Kurt, është shtetase austriak e cila ishte e martuar me E. Ata kishin dy fëmijë, A., të lindur në 2004, dhe B., të lindur në 2005.

Më 25 maj 2012 E. shkoi te shkolla e A. dhe B. Kërkoi nga mësuesja e A. nëse mund të bisedonte privatisht me të birin. Mësuesja, e cila më vonë deklaroi se nuk ishte informuar për problemet në familje, u pajtua. Kur A. nuk u kthye në klasë, ajo nisi ta kërkonte. Ajo e gjeti në bodrumin e shkollës, ku ishte qëlluar me plumb në kokë. Motra e tij B., e cila ishte dëshmitare e vrasjes, nuk ishte lënduar. Menjëherë u lëshua urdhërarrest për E. dhe policia nisi hetimet por E. u gjet i vrarë në veturë po atë ditë, pasi kreu vetëvrasje.

Kërkesa u paraqit në Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut më 16 dhjetor 2015. Gjykata dha vendimin e saj më 4 korrik 2019, duke gjetur njëzëri se nuk kishte pasur shkelje të aspektit thelbësor të Nenit 2 të Konventës. Më 27 shtator 2019 kërkuesi kërkoi referimin e çështjes në Dhomën e Madhe sipas Nenit 43 të Konventës (referim në Dhomën e Madhe). Më 4 nëntor 2019 paneli i Dhomës së Madhe pranoi kërkesën. Seanca dëgjimore u mbajt me videokonferencë në Ndërtesën e të Drejtave të Njeriut në Strasburg, më 17 qershor 2020.

Gjykata deklaroi se nuk ekzistonte ndonjë rrezik real dhe i menjëhershëm i një sulmi mbi jetën e fëmijëve. Prandaj, nuk kishte pasur asnjë detyrim të autoriteteve për të marrë masa të mëtejshme parandaluese operacionale posaçërisht në lidhje me fëmijët e kërkuesit, qofshin ato në hapësira private ose publike, si lëshimi i një urdhri ndalimi në lidhje me shkollën e fëmijëve. 

Duke marrë parasysh kërkesat e Kodit Penal të Austrisë dhe ato që rrjedhin nga Neni 5 i Konventës për mbrojtjen e të drejtave të të akuzuarit, Gjykata nuk gjeti asnjë arsye për të vënë në dyshim gjetjet e gjykatave austriake, të cilat kishin vendosur të mos urdhëronin paraburgimin e E.. Në lidhje me këtë, Gjykata përsëriti se sipas Nenit 5 asnjë ndalim nuk ishte i lejueshëm nëse nuk ishte në përputhje me ligjin vendor. Autoritetet kishin shfaqur kujdesin e duhur për t’iu përgjigjur me shpejtësi pretendimeve të kërkuesit për dhunë në familje dhe për të marrë parasysh mirë kontekstin specifik të dhunës në familje. Ato kishin kryer vlerësim autonom, proaktiv dhe gjithëpërfshirës të rrezikut dhe kishin lëshuar një urdhër ndalimi dhe mbrojtjeje. Ky vlerësim i rrezikut nuk shpërfaqte ndonjë rrezik real dhe të menjëhershëm të vdekjes së djalit të kërkuesit. Andaj, asnjë detyrim nuk ishte shkaktuar që autoritetet të marrin masa operative parandaluese në atë drejtim.

Referencat nga faqja zyrtare e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut