02 Pri Dhuna seksuale në vendin e punës – dënim i butë nga gjykatat kroate
Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut vendosi njëzëri në rastin Vučković kundër Kroacisë (kërkesa nr. 15798/20, 12.12.2023.) se kishte pasur shkelje të neneve 3 (ndalimi i trajtimit çnjerëzor dhe degradues) dhe 8 (e drejta për respektimin e jetës private dhe familjare) të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut.
Rasti kishte të bënte me ngacmimin seksual në vendin e punës. Kërkesa u bë nga znj. Vučković, infermiere, e cila pretendoi se kolegu i saj, shofer ambulance, e nënshtroi ndaj dhunës seksuale. Prekja dhe kapja e pjesëve të ndryshme të trupit, përpjekja për ta detyruar të kryejë seks oral dhe kërcënimi se do ta pushonte nga puna nëse i zbulonte incidentet – ishin ndër sulmet e përsëritura. Kërkuesja më pas u detyrua të merrte pushim mjekësor për shkak të lëndimit të krahut dhe më pas çrregullimit të stresit posttraumatik.
Kërkuesja paraqiti kallëzim penal në gjykatën vendore në lidhje me sulmet; në fillim, ai mori dënim me burgim prej 10 muajsh. Megjithatë, dënimi u ndryshua me shërbim të komunitetit nga gjykata e apelit, duke arsyetuar se kjo prapë do të përmbushte funksionin e vet ndëshkues, duke marrë parasysh se kishin kaluar katër vjet që nga sulmet fillestare dhe shkelësi nuk kishte kryer ndonjë krim të mëvonshëm.
Kërkesa u paraqit në GJEDNJ nga kërkuesja e cila pretendoi se shteti kishte neglizhuar përgjegjësitë e tij pozitive siç parashihet në nenet 3 dhe 8 të Konventës. Konkretisht, kërkuesja pretendoi se dënimi i shqiptuar ndaj kryerësit nuk ishte proporcional me veprat penale të kryera dhe nuk ishte i natyrës parandaluese.
Gjykata rikonfirmoi se përdhunimi dhe sulmi i rëndë seksual kualifikohen si trajtim sipas qëllimit të Nenit 3 të Konventës. Tutje, Gjykata deklaroi se akte të tilla përfshijnë vlera themelore dhe elemente kritike të “jetës private” siç përcaktohet në Nenin 8. Në mënyrë të vazhdueshme, Gjykata ka theksuar se nenet 3 dhe 8 të Konventës u imponojnë shteteve detyrim pozitiv për të vendosur legjislacionin penal që penalizon në mënyrë adekuate përdhunimin, si dhe për ta zbatuar atë legjislacion përmes hetimit dhe ndjekjes penale efikase.
Tutje, Gjykata konstatoi se nuk është në kompetencën e saj për të kundërshtuar përcaktimin e gjykatave vendase se veprimet e kryerësit nuk plotësonin kriteret për tentativë përdhunimi, por më tepër si “akte të shthurura”. “Prandaj, Gjykata nuk mund të mos vërejë se çdo forcë që dhunuesi ka përdorur ndaj kërkueses do të konsiderohet padyshim në përcaktimin e dënimit të dhunuesit.
Gjykata vuri në dukje se gjykatat vendore nuk arritën të llogaritnin disa faktorë që ishin të rëndësishëm sipas ligjit vendor gjatë përcaktimit të dënimeve, duke përfshirë vuajtjen e kërkueses si rezultat i veprës penale, sjelljen e kryerësit pas kryerjes së veprave penale në fjalë dhe “mungesën e dukshme të pendimit ose çdo përpjekje për të kompensuar dëmin e shkaktuar ndaj kërkueses”.
Për më tepër, gjykata e apelit nuk arriti të japë ndonjë justifikim të besueshëm se “pse kalimi i thjeshtë i viteve – i cili në asnjë mënyrë nuk mund t’i atribohet kërkueses dhe duhet ta ketë traumatizuar më tej atë (kërkuesen) si viktimë – tejkaloi rrethanat rënduese të lartpërmendura”.
Rrjedhimisht, Gjykata arriti në përfundimin e mëposhtëm: “Duke pasur parasysh rrezikun specifik shoqëror të dhunës ndaj grave dhe nevojën për ta luftuar atë me veprime efikase dhe parandaluese, në përgjigjen e saj ndaj dhunës së vuajtur nga kërkuesja, shteti nuk e përmbushi mjaftueshëm detyrimin e tij procedural për të siguruar që dhuna e përsëritur seksuale që ajo kishte pësuar në vendin e saj të punës të trajtohej në mënyrë të përshtatshme”. Për pasojë, Gjykata konstatoi shkelje të neneve 3 dhe 8 të Konventës.