Etiketimi i librit për fëmijë si i dëmshëm vetëm për shkak të përmbajtjes LGBTI përbën shkelje të Konventës

Në rastin Macatė kundër Letonisë (kërkesa nr. 61435/19, 23.01.2023) Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut ka gjetur se ka pasur shkelje të Nenit 10 (liria e shprehjes) të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut.

Rasti kishte të bënte me një libër për fëmijë me përralla që përmbanin rrëfime për martesat mes gjinisë së njëjtë. Shpërndarja e librit ishte pezulluar menjëherë pas botimit të tij në vitin 2013. Shpërndarja vazhdoi një vit më vonë, pasi libri u etiketua si potencialisht i dëmshëm për fëmijët nën moshën 14-vjeçare. Ky ishte rasti i parë në të cilin Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut kishte vlerësuar kufizimet në literaturë rreth marrëdhënieve mes gjinisë së njëjtë të shkruar posaçërisht për fëmijë.

Gjykata gjeti se masat kundër librit të kërkuesit kishin synuar të kufizonin qasjen e fëmijëve ndaj informatave që përshkruajnë marrëdhëniet mes gjinisë së njëjtë si thelbësisht ekuivalente me marrëdhëniet mes gjinive të ndryshme. Gjykata e hodhi poshtë argumentin e qeverisë se ata kërkonin t’i mbronin fëmijët nga informatat eksplicite seksuale. Në veçanti nuk mund të vinte re se si, sipas gjykatave vendore dhe qeverisë, pjesët e caktuara – një princeshë dhe e bija e një këpucëtari që flininn të përqafuara pas dasmës së tyre – ishin seksualisht eksplicite.  As nuk u bind nga argumenti i qeverisë se libri promovonte familjet e gjinisë së njëjtë mbi të tjerët. Përkundrazi, përrallat avokonin respektin dhe pranimin e të gjithë anëtarëve të shoqërisë në një aspekt themelor të jetës së tyre, gjegjësisht një marrëdhënie të përkushtuar.

Gjykata tashmë kishte konkluduar në prakikën e vet se nuk kishte prova shkencore – siç u konfirmua nga shumë organe ndërkombëtare – për të sugjeruar se vetëm përmendja e homoseksualitetit, apo debati i hapur publik për statusin shoqëror të pakicave seksuale, do të kishte efekt negativ te fëmijët. 

Në fund, Gjykata gjeti se kufizimi i qasjes së fëmijëve në informata rreth marrëdhënieve mes gjinisë së njëjtë – ku informata të tilla nuk mund të konsiderohen të papërshtatshme apo të dëmshme për ta mbi ndonjë bazë tjetër përtej orientimit seksual – dëshmonte se autoritetet kishin preferencë për disa lloje të marrëdhënieve dhe familjeve ndaj llojeve të tjera, dhe se ata i shihnin marrëdhëniet mes gjinive të ndryshme si më të pranueshme dhe më të vlefshme në shoqëri sesa ato mes gjinisë së njëjtë, duke i ndihmuar kështu edhe më tej stigmatizimit.
Gjykata kësisoji konkludoi se masat kundër librit të kërkuesit nuk kishin ndjekur asnjë synim që mund të pranohej si legjitim për qëllimet e Nenit 10.

Referencat nga faqja zyrtare e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut