GJEDNJ-ja për refuzimin e autoriteteve serbe për të lëshuar dokument udhëtimi për refugjatët në Serbi

Në rastin S.E. kundër Serbisë (Kërkesa nr. 61365/16, 11.7.2023) Gjykata Europiane për të Drejtat w Njeriut njëzëri gjeti shkelje të Nenit 2 § 2 të Protokollit nr. 4 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut që garanton të drejtën për të qenë i lirë të largohesh nga çdo vend. Rasti lidhet me refuzimin e autoriteteve serbe për të lëshuar një dokument udhëtimi për një refugjat për shkak të mungesës së rregulloreve që zbatojnë ligjin vendor për azilin.

Kërkuesit iu dha statusi i refugjatit në vitin 2015 për shkak të aktiviteteve politike në Siri dhe pasigurisë së përgjithshme shtetërore në vend. Me aplikimin për dokument udhëtimi bazuar në statusin e dhënë, kërkuesi është njoftuar nga Ministria e Brendshme se nuk mund të pajiset me dokument udhëtimi pasi, sipas rregulloreve ekzistuese, lëshimi i këtyre dokumenteve kërkonte legjislacion plotësues që nuk ishte miratuar në atë kohë. 

Në përgjigje të refuzimit, kërkuesi paraqiti një ankim kushtetues duke pretenduar se Ministri i Brendshëm nuk kishte miratuar rregulloret përkatëse që e pengonin atë të merrte një dokument udhëtimi që do ta lejonte të udhëtonte jashtë Serbisë. Megjithatë, Gjykata Kushtetuese hodhi poshtë ankimin duke përmendur se ankimet mund të parashtroheshin vetëm kundër veprimeve specifike, jo mosveprimit ose mosmiratimit të akteve të përgjithshme ligjore, konkretisht mosmiratimit të rregulloreve ndihmëse.

Qeveria argumentoi se meqenëse shteti nuk mund t ‘i lëshonte një dokument udhëtimi kërkuesit për arsye teknike, pa ndonjë qëllim për të kufizuar lirinë e tij të lëvizjes, mosveprimi i diskutueshëm mund të ketë shkaktuar vetëm shkelje të së drejtës për dokument udhëtimi sipas Konventës së Refugjatëve.

Megjithatë, GJEDNJ-ja deklaroi se argumenti se refuzimi i shtetit për të lëshuar një dokument udhëtimi për kërkuesin nuk ishte pasojë e masave kufizuese me qëllim të ndalimit të tij për t’u larguar nga Serbia nuk e bën këtë nen të pazbatueshëm, për sa kohë që pasojat e prodhuara nga veprimet ose mosveprimet e shtetit mund ta kenë penguar atë ta bëjë këtë.

Për më tepër, në lidhje me argumentin e Qeverisë se refuzimi për të lëshuar dokumente udhëtimi nuk ishte i motivuar nga ndonjë përpjekje e qëllimshme për të kufizuar lirinë e lëvizjes, por përkundrazi nga mungesa e burimeve të veçanta financiare, Gjykata deklaroi se “mirëqenia ekonomike e vendit dhe konsideratat e lidhura financiare nuk janë as në mesin e qëllimeve legjitime të listuara në Nenin 2 § 3 të Protokollit Nr. 4, dhe për këtë arsye nuk mund të justifikojë kufizimet mbi të drejtën për t’u larguar nga vendi”. Gjykata gjithashtu theksoi se “ky rast dallohet qartë nga rastet e tjera kur ka shqyrtuar pamjaftueshmërinë e burimeve në kontekstin e konfrontimit të zgjatur të shteteve me një fluks të papritur dhe sasior të konsiderueshëm të refugjatëve dhe presionit joproporcional mbi sistemet e tyre të azilit”.

Në fund, GJEDNJ-ja arriti në përfundimin se refuzimi për të lëshuar një dokument udhëtimi për refugjatët për shtatë vjet, për shkak të mungesës së rregulloreve të duhura, shkelte të drejtën e kërkuesit për t’u larguar lirisht nga Serbia dhe për këtë arsye gjeti shkelje të Nenit 2 § 2 të Protokollit Nr. 4 të Konventës.