25 Mar Intervistë televizive e një të mituri pa pëlqimin e prindërve çoi në shkelje të Konventës
Në rastin I.V.Ț. kundër Rumanisë (kërkesa nr. 35582/15, 01.03.2022) Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut ka gjetur njëzëri se ka pasur shkelje të Nenit 8 (e drejta për respektimin e jetës private dhe familjare) të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut.
Rasti kishte të bënte me një intervistë televizive me një të mitur, pa pëlqimin e prindërve ose pa masat e duhura për të mbrojtur identitetin e saj. Intervista, e cila kishte të bënte me vdekjen e një shoqeje të klasës, kishte rezultuar me ngacmimin e saj dhe i kishte shkaktuar asaj stres emocional. Në vitin 2013 kërkuesja paditi shoqërinë aksionare të kanalit televiziv, duke kërkuar kompensim. Gjykata e Qarkut vendosi në favor të saj, duke urdhëruar dëmshpërblim prej 200,000 lei rumune (rreth 40,436 euro) për shkak të mungesës së pëlqimit prindëror.
Në vitin 2014 Gjykata e Qarkut Prahova e hodhi poshtë këtë vendim, duke cituar lirinë e gazetarëve dhe interesin publik dhe duke thënë se kompania nuk duhet të jetë përgjegjëse për sjelljen e atyre që i përkasin komunitetit shkollor. Ankimi lidhur me pikat e ligjit nga kërkuesja u hodh poshtë nga Gjykata e Apelit Ploiești në vitin 2015, e cila mbështeti arsyetimin e Gjykatës së Qarkut, duke deklaruar se pëlqimi i prindërve nuk do të kishte ndryshuar situatën.
Gjykata përsëriti se sipas Konventës, shtetet ishin të detyruara të siguronin respektimin e të drejtave për jetën private, edhe në sferën e marrëdhënieve të individëve ndërmjet tyre brenda sistemeve të tyre ligjore. Kjo vlente në veçanti në lidhje me të miturit. Sa i përket intervistës, Gjykata ishte e kënaqur që ajo kishte qenë për një çështje me interes publik. Megjithatë, kërkuesja kishte qenë e mitur dhe kështu kërkesa e pëlqimit prindëror – e cila nuk ishte marrë kurrë – duhej të peshohej kundrejt kësaj. Gjykata vuri në dukje në veçanti se rregulloret përkatëse të Këshillit Kombëtar Audioviziv pohojnë se “e drejta e të miturit për jetën e tij private dhe imazhin e tij privat mbizotërojnë mbi nevojën për informata, veçanërisht në rastin e një të mituri në pozitë të vështirë”. Gjykata vërejti se gjykatat vendore kishin konstatuar se kërkuesja kishte vuajtur nga shqetësimi dhe ankthi i madh pas transmetimit. Edhe kur raporti televiziv i jep kontribut një debati publik, zbulimi i informatës private – siç ishte identiteti i një të miture që kishte qenë dëshmitare e një ngjarjeje dramatike – nuk duhej të tejkalonte diskrecionin e redaksisë dhe duhej të justifikohej.
Gjykata arriti në përfundim se gjykatat e apelit në këtë rast kishin balancuar vetëm sipërfaqësisht çështjen e së drejtës së kërkueses për jetë private dhe së drejtës së transmetuesit për shprehje të lirë. Ato nuk e kishin marrë parasysh siç duhet faktin se ajo kishte qenë e mitur, duke dështuar në detyrimin e tyre për të mbrojtur të drejtën e saj për jetë private, në kundërshtim me Nenin 8.
Referencat nga faqja zyrtare e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut