Marrëdhënia midis ndalimit të punës së detyruar dhe ndjekjes penale të viktimave dhe viktimave të mundshme të trafikimit

Në rastin e VCL dhe AN kundër Mbretërisë së Bashkuar (kërkesat nr. 77587/12 dhe 74603/12, 16.02.2021) Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut ka gjetur njëzëri se ka pasur shkelje të Nenit 4 (ndalimi i punës së detyruar) të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut, dhe shkelje e Nenit 6 § 1 (e drejta për gjykim të drejtë). 

Rasti kishte të bënte me dy të rinj vietnamezë të cilët zyrtarët e policisë i kishin zbuluar duke punuar në fermat e kanabisit. Ata u arrestuan dhe u akuzuan për vepra të lidhura me drogën, për të cilën ata u deklaruan fajtorë. Pas dënimit të tyre, ata u mbajtën të arrestuar në qendrat korrektuese. Pas dënimit të tyre, edhe VCL edhe AN u njohën si viktima të trafikimit nga autoritetet shtetërore (autoriteti kompetent) përgjegjës për përcaktimin nëse një person është trafikuar për qëllime shfrytëzimi. Por, shërbimi i prokurorisë duke shqyrtuar vendimin për ndjekjen penale të tyre, arriti në përfundimin se ata nuk ishin viktima të trafikimit dhe Gjykata e Apelit konstatoi mbi faktet e secilës çështje që vendimi për ndjekje penale ishte i justifikuar. 

Kjo ishte hera e parë që Gjykata shqyrtoi marrëdhëniet midis Nenit 4 të Konventës dhe ndjekjes penale të viktimave dhe viktimave të mundshme të trafikimit. Gjykata konsideroi se ndjekja penale e viktimave ose viktimave të mundshme të trafikimit nuk do të shkelte domosdoshmërisht Nenin 4 të Konventës. Por, duke pasur parasysh ekspertizën e autoritetit kompetent në këtë fushë, Gjykata konsideroi se prokuroria nuk kishte dhënë arsye të qarta në përputhje me përkufizimin e trafikimit për arritjen e një përfundimi të ndryshëm nga ai i autoritetit kompetent.

Por, duke pasur parasysh detyrën për të marrë masa operacionale për të mbrojtur viktimat e trafikimit, Gjykata vendosi që pasi autoritetet të kishin mësuar për një dyshim të besueshëm se një individ ishte trafikuar, ai ose ajo duhet të vlerësohej nga një person i kualifikuar. Çdo vendim për të ndjekur penalisht duhet të ndjekë një vlerësim të tillë, dhe ndërsa vendimi nuk do të ishte domosdoshmërisht i detyrueshëm për një prokuror, prokurori do të duhet të ketë arsye të qarta për të arritur në një përfundim tjetër. Prandaj, Gjykata konstatoi se autoritetet kishin dështuar të marrin masa adekuate operacionale për të mbrojtur VCL dhe AN, të dytë viktima të mundshme të trafikimit.

Në rastin e VCL dhe AN, Gjykata gjeti se pavarësisht ekzistencës së dyshimit të besueshëm se ata ishin trafikuar, as policia as shërbimi i prokurorisë nuk i kishin referuar ata te një autoritet kompetent për vlerësim; megjithëse të dy rastet u shqyrtuan më pas nga shërbimi i prokurorisë, ai nuk pajtohej me përfundimin e autoritetit kompetent pa dhënë arsye të qarta të afta për të cënuar përfundimet e autoritetit kompetent; dhe Gjykata e Apelit u kufizua në shqyrtimin nëse vendimi për të ndjekur penalisht kishte qenë abuzim i procesit. 

Prandaj, Gjykata gjeti se kishte pasur shkelje të Nenit 4 në të dy çështjet e kërkuesve. Gjykata gjeti se, megjithëse autoritetet u kishin plotësuar disa kërkesa kërkuesve pas vendimeve të fajësisë së tyre, mungesa e një vlerësimi nëse kërkuesit kishin qenë viktima të trafikimit mund t’i kishte penguar të siguronin prova të rëndësishme të afta për të ndihmuar mbrojtjen e tyre. Për më tepër, Gjykata nuk konsideroi se kjo “padrejtësi” ishte shqyrtuar në apel pasi – siç është theksuar tashmë – shqyrtimi i Gjykatës së Apelit ishte kufizuar në shqyrtimin nëse prokuroria kishte bërë abuzim të procesit dhe ishte mbështetur në faktorë të cilët nuk duket se shkojnë në thelbin e përkufizimit të trafikimit të pranuar ndërkombëtarisht. Së këndejmi, procedurat nuk kishin qenë të drejta, duke çuar në shkelje të Nenit 6 1.

Referencat nga faqja zyrtare e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut