Mbrojtësi i të drejtave të njeriut Osman Kavala dënohet me burgim të përjetshëm përkundër vendimeve të GJEDNJ-së

Gjykata e 13të e Asizes e Stambollit dënoi mbrojtësin e të drejtave të njeriut, Osman Kavala, me burgim të përjetshëm pa kusht me akuza për orvatje për të përmbysur qeverinë, si dhe shtatë të tjerë me 18 vjet burg me akuza për ndihmë dhe bashkëfajësi. Akuzat kanë të bëjnë me rolet e tyre të dyshuara në protestat masive të vitit 2013 që filluan në Parkun Gezi të Stambollit.

“Dënimi i Osman Kavalas dhe shtatë të tjerëve në një gjyq të montuar ku pohimet e egra dhe teoritë e konspiracionit zunë vendin e provave është shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut dhe provë e madhe se gjykatat e Turqisë veprojnë nën udhëzimet e presidencës së Erdoganit”, tha Keneth Roth, drejtor ekzekutiv i Human Rights Watch. “Lufta në Ukrainë nuk duhet t’u lejojë aleatëve ndërkombëtarë të Turqisë të mbyllin një sy karshi krizës së ashpër të rendit dhe ligjit dhe të drejtave të njeriut në vend, të pasqyruara në këtë verdikt dhe dënime të fundit”.

Kavala tashmë ka kaluar katër vjet e gjysmë në paraburgim për akuza të pabaza për përpjekje për të përmbysur qeverinë dhe rendin kushtetues dhe spiunazh për gjoja organizimin dhe financimin e protestave të Parkut Gezi dhe përfshirjen në përpjekjen për grusht shteti më 15 korrik 2016 kundër qeverisë së presidentit Rexhep Tajip Erdogan.

Në dhjetor 2019 Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut gjeti se Turqia kishte përdorur paraburgimin për qëllime politike, duke shkelur të drejtat e Kavalas, duke përfshirë të drejtën e tij për liri, dhe duke vepruar në mosbesim (kërkesa nr. 28749/18).

Gjykimi i Kavalas, si të gjitha vendimet e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut, është ligjërisht detyrues, e megjithatë autoritetet turke shpërfillën vendimin e gjykatës së Strasburgut. Ato gjithashtu shpërfillën thirrjen për lirimin e tij dhe rivendosjen e plotë të të drejtave të tij nga Komiteti i Ministrave, i cili përfaqëson 47 vendet anëtare të Këshillit të Europës. Si përgjigje, Komiteti i Ministrave votoi më 2 shkurt për të filluar procedimet e shkeljes kundër Turqisë për mosrespektimin e vendimit të Gjykatës Europiane, një masë e rëndësishme për të mbështetur mbrojtjen e të drejtave të njeriut në Turqi dhe për të mbështetur kornizën ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.

Sipas organizatës Human Rights Watch, gjykatat dhe prokurorët turq janë përfshirë në një varg taktikash për të anashkaluar autoritetin e Gjykatës Europiane dhe Këshillit të Europës, duke përdorur vendimet e gjykatave vendore për të zgjatur paraburgimin e Kavalas dhe për të rritur kohëzgjatjen e ndjekjeve penale të pabaza. Gjykatat kanë lëshuar urdhëra të montuara për lirim, kanë nisur procedime të shumta penale kundër Kavalas me të njëjtat fakte dhe kanë ndarë dhe ribashkuar dosjet e rasteve që e akuzojnë atë për vepra të rreme. Dënimet kundër Kavalas dhe shtatë të tjerëve janë kulmi i këtij procesi në nivelin më të ulët gjyqësor.

Human Rights Watch gjithashtu thotë se Komisioni Europian dhe vendet anëtare të BE-së duhet të shqyrtojnë urgjentisht angazhimin e tyre me Turqinë dhe të kushtëzojnë hapjen e bisedimeve për modernizimin e Bashkimit Doganor, të kërkuar nga Ankaraja; mes tjerash, me lirimin e Kavalas dhe të ndonjërit prej të ndaluarve të tjerë, shfuqizimin e vendimit të Gezit; zbatimin e gjykimeve nga Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut.

Referencat nga faqja zyrtare e Human Rights Watch