Mjeti juridik kundër vendimit për privimin e lirisë së një personi që nuk gjendet, nuk është në përputhje me Konventën

Në rastin Rizzotto kundër Italisë (kërkesa nr. 20983/12, 05.09.2019) Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut ka gjetur njëzëri se ka pasur shkelje të Nenit 5 § 4 (e drejta për gjykim të shpejtë të ligjshmërisë së paraburgimit) të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut. 

Rasti kishte të bënte me ligjshmërinë e një urdhri paraburgimi dhe masave mbrojtëse procedurale të siguruara sipas nenit 5 § 4 (e drejta për shqyrtim të shpejtë të ligjshmërisë së paraburgimit) të Konventës. 

Më 16 shtator 2010 gjykatësi hetues i Palermos urdhëroi paraburgimin e z. Rizzotto. Meqenëse z. Rizzotto nuk mund të gjendej, autoritetet vlerësuan se ai ishte i arratisur dhe caktuan një avokat për ta përfaqësuar atë. Më 13 tetor 2010 avokati u ankua në Gjykatën e Qarkut të Palermos kundër urdhrit për paraburgimin e kërkuesit, duke u mbështetur në Nenin 309 të Kodit të Procedurës Penale. Më 6 dhjetor 2010 z. Rizzotto u arrestua në Maltë dhe ai caktoi një avokat sipas zgjedhjes së tij. Avokati u ankua kundër urdhrit të paraburgimit. Gjykata e shpalli ankesën të papranueshme me arsyetimin se ankuesi e kishte ushtruar tashmë të drejtën e tij të ankimit në formën e apelit të paraqitur nga avokati i tij i emëruar kryesisht, ndërsa ai kishte qenë në mungesë.

Gjykata vuri në dukje se legjislacioni italian në të vërtetë ofronte mundësinë e kundërshtimit të bazave për një vendim që urdhëronte heqjen e lirisë, me anë të një ankese sipas Nenit 309 të Kodit të Procedurës Penale. 

Por, Gjykata vërejti se ankesa e paraqitur nga avokati me udhëzim të z. Rizzotto kundër urdhrit nga gjyqtari i ekzekutimit të dënimit, ishte shpallur e papranueshme nga seksioni special i Gjykatës së Qarkut të Palermos me arsyetimin se një kërkesë e ngjashme ishte bërë nga një avokat i emëruar kryesisht, ndërsa z. Rizzotto kishte qenë në mungesë. Por, pasi avokati kryesisht, i caktuar nga autoritetet për të përfaqësuar z. Rizzotto gjatë procesit kishte vendosur të ankohet kundër urdhrit të paraburgimit pa dijeninë e z. Rizzotto, i cili kishte qenë i në mungesë, Gjykata konstatoi se ishte përtej dyshimit se z. Rizzotto nuk kishte pasur mundësi të komunikonte me avokatin e emëruar zyrtarisht, ose të parashtronte argumentet e tij në mbështetje të kërkesës për lirim, ose të dëgjohej nga gjykata.

Gjykata vërejti gjithashtu se kërkuesit i ishte refuzuar kërkesa e tij pa iu ofruar asnjë seancë dëgjimore. Gjykata përsëriti se garancia themelore që rrjedh nga Neni 5 §4 i Konventës ishte e drejta efektive për tu dëgjuar nga gjyqtari që shqyrton ankesën kundër paraburgimit. Gjykata vuri në dukje se kërkuesit gjithashtu i ishte refuzuar kërkesa e tij për rishikim të ligjshmërisë së ndalimit të tij, pa seancë dëgjimore. Prandaj, Gjykata konkludoi se sistemi juridik italian nuk i kishte ofruar kërkuesit masa mbrojtëse procedurale në përputhje me Nenin 5 § 4 të Konventës.

Referencat nga faqja zyrtare e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut