28 Qer Ndalimi absolut i përdorimit të gjuhëve jozyrtare gjatë fushatave zgjedhore nuk është në përputhje me Konventën
Në rastin Mestan kundër Bullgarisë (kërkesa nr. 24108/15, 02.05.2023) Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut vendosi, njëzëri, se ka pasur shkelje të Nenit 10 (liria e shprehjes) të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut.
Rasti kishte të bënte me një sanksion administrativ të vendosur ndaj liderit të një partie politike – të mbështetur tradicionalisht nga votuesit që i përkasin pakicës turke në Bullgari – i cili ishte kandidat në zgjedhjet parlamentare bullgare të vitit 2013 për shkak se foli turqisht gjatë fushatës zgjedhore. Autoritetet bullgare morën mendimin se ai kishte shkelur Ligjin Zgjedhor të Bullgarisë.
Gjykata vuri në dukje se Kodi Zgjedhor Bullgar vendoste ndalim absolut të përdorimit të çdo gjuhe tjetër përveç gjuhës zyrtare (bullgare) në fushatën zgjedhore, dhe se shkeljet e dispozitat përkatëse rezultonin me sanksione administrative në formë të gjobave. Në lidhje me këtë, ajo vuri në dukje se natyra absolute e ndalimit në fjalë i kishte privuar gjykatat vendore nga kompetenca e tyre për të ushtruar shqyrtimin e duhur gjyqësor.
Gjykata pranoi se Shtetet kishin të drejtë në parim të rregullonin përdorimin e gjuhëve – në forma të caktuara ose në funksion të rrethanave që lidhen me komunikimin me publikun – nga kandidatë dhe persona të tjerë gjatë fushatave zgjedhore dhe, nëse është e nevojshme, për të imponuar disa kufizime ose kushte që korrespondojnë me “nevojë të ngutshme sociale”. Megjithatë, një kornizë rregullative që konsiston në ndalimin total të përdorimit të gjuhëve jozyrtare bashkë me sanksionet administrative nuk mund të konsiderohen të jenë në përputhje me vlerat thelbësore të një shoqërie demokratike, e cila përfshinte lirinë e shprehjes siç garantohet nga Neni 10 i Konventës. Në lidhje me këtë, Gjykata vuri në dukje se gjuha e përdorur nga kërkuesi në rastin në fjalë, përkatësisht turqishtja, ishte edhe gjuha e tij amtare edhe gjuha e pakicës së popullsisë së cilës ai
i drejtohej.
Gjykata theksoi rëndësinë e pluralizmit, tolerancës dhe mbrojtjes së pakicave në një shoqëri demokratike dhe vuri re respektimi i pakicave, jo vetëm që nuk i dobësonte demokracitë por mund t’i bënte më të fuqishme. Kështu, përkundër marzhit të vlerësimit që u është dhënë autoriteteve vendore, Gjykata konsideroi se ndalimi në fjalë nuk korrespondonte me një kërkesë të ngutshme të veçantë dhe nuk ishte proporcionale me qëllimet legjitime të përmendura në nenin 10 të Konventës. Ndërhyrja në ushtrimin e së drejtës së kërkuesit për lirinë e shprehjes nuk kishte qenë kësisoji e nevojshme në një shoqëri demokratike.
Referencat nga faqja zyrtare e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut