Ngecja në ballafaqimin me të kaluarën në ish-Jugosllavi rrezikom pajtimin dhe paqen

Komisionerja e Këshillit të Europës për të Drejtat e Njeriut, Dunja Mijatovic, së fundmi ka nxjerrë një raport që vlerëson gjendjen e drejtësisë tranzicionale në ish-Jugosllavi. Kjo vjen një dekadë pas raportit fillestar tematik mbi të njëjtën temë të hartuar nga Zyra e Komisionerit të Këshillit të Europës për të Drejtat e Njeriut. Raporti i ri shqyrton si arritjet ashtu edhe mangësitë në adresimin e së kaluarës në rajon, duke identifikuar pengesat dhe rezultatet më pozitive.

Hapa pozitivë janë bërë në identifikimin dhe gjetjen e personave të zhdukur gjatë kohës së luftës, gjë që i atribohen kornizave të fuqishme legjislative, teknologjive moderne mjeko-ligjore dhe përfshirjes efektive të familjeve të të zhdukurve. Si mbështetja financiare ashtu edhe presioni politik i faktorëve të jashtëm në bashkëpunimin me Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë kanë luajtur role thelbësore në sigurimin e proceseve të drejtësisë tranzicionale. Përveç kësaj, përpjekjet e pasluftës në rajon kanë sjellë mjaft vëmendje ndaj dhunës seksuale të kryer në luftë, duke theksuar nevojën për qasje të ndjeshme gjinore në ballafaqimin me të kaluarën.

Organizatat e shoqërisë civile kanë luajtur rol vendimtar në adresimin e shkeljeve të të drejtave të njeriut dhe Komisionerja Mijatovic nënvizon rëndësinë e forcimit të mbështetjes politike dhe financiare për ta, duke i përshëndetur ata si “aktualisht shpresa më e mirë për një të ardhme më të mirë të bazuar në të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit”.

Megjithatë, shumë sfida ende mbesin në ballafaqimin me të kaluarën. Shumë procese të drejtësisë tranzicionale kanë ngecur. Mijëra të dyshuar si autorë të krimeve të luftës, krimeve kundër njerëzimit dhe gjenocidit të kryer gjatë luftërave të viteve 1990 pritet të hetohen e të ndiqen tutje në Serbi, Bosnjë dhe Hercegovinë dhe Kroaci. Mbrojtja e dëshmitarëve mbetet sfidë e vazhdueshme, duke përfshirë edhe qasjen në reparacione efektive dhe adekuate, veçanërisht për të mbijetuarit e dhunës seksuale. 

Përveç kësaj, zyrtarët publikë të përfshirë në shkelje të rënda të të drejtave të njeriut mbeten në pozita të shërbimit publik, gjë që pasqyron një çështje më të gjerë të diskursit etno-nacionalist, mohimit të mizorive dhe glorifikimit të kriminelëve të luftës. Përqafimi i kësaj narrative nga politikanët e niveleve më të larta politike dhe përdorimi i saj si “strategji për të fituar vota dhe për të mbajtur pushtetin” konsiderohen si “shumë shqetësuese”.

Komisionerja Mijatovic thekson se dështimi për të adresuar plotësisht mizoritë e kohës së luftës dhe shkaqet themelore nga vitet 1990 vazhdon të ketë pasoja të rënda në të drejtat e njeriut, sundimin e ligjit, kohezionin social dhe kërcënon paqen në rajon. Ajo u bën apel shteteve t’i revitalizojnë përpjekjet e tyre në ballafaqimin me të kaluarën përmes masave të ndryshme duke përfshirë bashkëpunimin rajonal, miratimin e një qasjeje të përqendruar te viktimat, rritjen e mbështetjes për angazhim të fuqishëm të shoqërisë civile në drejtësinë tranzicionale dhe zbatimin e iniciativave arsimore dhe përkujtimore.