Një vështrim mbi dekadën e Forumeve të Sundimit të Ligjit në Europën Juglindore

(7 nëntor, 2023) Forumi XX vjetor i Sundimit të Ligjit do të zhvillohet më 10 dhe 11 nëntor, 2023, në Bosnjë dhe Hercegovinë. Gjatë dekadës së kaluar kjo  ngjarje historike, e themeluar në vitin 2014, është zhvilluar në një platformë vendimtare për promovimin e Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut, nxitjen e bashkëpunimit gjyqësor rajonal dhe mbështetjen e procesit të integrimit në BE në Europën Juglindore. 

Gjatë gjithë kësaj dekade, Forumi i Sundimit të Ligjit ka evoluar, duke iu përshtatur peizazhit gjithnjë në ndryshim të të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit. Nga shqyrtimi i mbrojtjes së pavarësisë dhe paanshmërisë gjyqësore, deri te diskutimet për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në kohë emergjence, Forumi u përqendrua vazhdimisht në adresimin e çështjeve kritike në thelbin e gjyqësorit, duke e bërë atë një nga ngjarjet më të rëndësishme të vitit që bën bashkë anëtarët e gjyqësorit, avokatët, praktikuesit ligjorë dhe OJQ-të në rajon. 

Por, si arritëm deri këtu? Ejani me ne në një udhëtim nëpër kohë ndërsa festojmë një dekadë të promovimit të sundimit të ligjit në Europën Juglindore. 

Rrugëtimi i Forumit të Sundimit të Ligjit filloi me një ide të thjeshtë – për të përmirësuar zbatimin e Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut në Europën Juglindore. 

“Si Qendra AIRE ashtu edhe Civil Rights Defenders ishin thellësisht të përfshirë në promovimin e Konventës. Civil Rights Defenders ishte e përkushtuar në përkthimin e gjykimeve të plota dhe krijimin e botimeve tematike, ndërsa AIRE mori rolin e krijimit të përmbledhjeve të gjykimeve, mbajtjen e një databaze dhe shumë më shumë”, tha Goran Miletic, Drejtor për Europën dhe MENA në Civil Rights Defenders.

“Megjithatë, e kuptuam se ende ekzistonte një problem kur bëhej fjalë për përdoruesit e materialeve tona. Me punën e tyre të përditshme, shumë njerëz nuk kishin kohë të mjaftueshme për të lexuar gjykime të gjata dhe për të gjetur informata thelbësore. Kjo na bëri të kërkojmë mënyra inovative për të promovuar Konventën, duke e bërë atë të qasshme dhe interaktive për palët e interesuara në rajon, përfshirë praktikuesit ligjorë dhe ekspertët”, shpjegoi Miletic.

“Themeluam Forumin Rajonal të Sundimit të Ligjit në vitin 2014, dhe kishim tre objektiva kryesore. E para ishte të lehtësohet zbatimi vendor të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut. E dyta, të ndihmohen vendet në rajon në procesin e integrimit në BE duke u ndihmuar të përmbushin kriteret e sundimit të ligjit. Së fundi, dhe shumë e rëndësishme, të lehtësohet bashkëpunimi rajonal, për të lehtësuar shkëmbimin e praktikave më të mira dhe për të lehtësuar krijimin e lidhjeve mes profesionistëve të rajonit”, tha Biljana Braithwaite, Drejtoreshë e Programit të Ballkanit Perëndimor në Qendrën AIRE.

Vit pas viti, në këtë Forum marrin pjesë gjyqtarë nga gjykatat më të larta, Avokati i Popullit, institutet e trajnimit gjyqësor, agjentët qeveritarë, organizatat ndërkombëtare dhe joqeveritare nga Europa Juglindore.

“Kemi pasur shumë fat që kemi qenë në gjendje të sjellim ekspertët më të vlerësuar gjyqësorë në rajon. Për shembull, në vitin 2019 kemi pasur nderin të kemi z.Reed, Kryetarin e Gjykatës Supreme të Mbretërisë së Bashkuar, në vitin 2020 dhe 2021, na u bashkua Robert Spano, President i Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ) në atë kohë, i cili gjithashtu vazhdoi të mbështeste Forumin në vitin 2022 pas presidencës së tij, dhe në vitin 2020 na u bashkua edhe Dunja Mijatovic, Komisionere për të Drejtat e Njeriut e Këshillit të Evropës”, shpjegoi Braithwaite.

Robert Spano, ish-Kryetar i GJEDNJ-së, vuri në dukje se dialogu gjyqësor është një nga tiparet më të rëndësishme të politikës së jashtme të Gjykatës. 

“Ne jemi një sistem në të cilin GJEDNJ-ja është një valvul sigurie. Është një gjykatë ndërkombetare e cila merret vetëm me relativisht pak çështje, megjithëse mund të jenë të shumta në numër. Shumica e rasteve kur mbrohen të drejtat e njeriut janë në nivel vendi. Gjyqtarët vendorë janë gjyqtarët e parë të Strasburgut”, tha Spano

“Mendoj se arritjet e realizuara gjatë viteve të kaluara në këtë Forum të Sundimit të Ligjit janë shumë të rëndësishme për ne që të jemi në gjendje të angazhohemi në mënyrë kuptimplotë me njëri-tjetrin, që të jemi në gjendje t’u përgjigjemi pyetjeve që na paraqesin gjyqtarët, që të krijojmë vetëdije të ndërsjellë, që të mund të krijojmë besim, që të kuptojmë se me të vërtetë jemi të gjithë në këtë së bashku, ushqehemi me pikat e forta të njëri-tjetrit dhe gjithashtu përpiqemi të rrisim dhe korrigjojmë dobësitë tona”, shpjegoi ai më tej. 

Edhe në kohë krize, Forumi vazhdoi të ofrojë një platformë shumë të nevojshme për  diskutime dhe dialog, si dhe bashkëpunim dhe veprim të përbashkët mes kombeve për të adresuar të drejtat komplekse të njeriut mes sfidave.

“Është tejet e rëndësishme që të kemi ende mundësi të takohemi dhe të shkëmbejmë mendime dhe të flasim për çështje kaq të rëndësishme që prekin shoqëritë tona në rajonin e Këshillit të Europës, dhe më gjerë. Në një krizë si kjo ku jemi ne, angazhimi i shteteve anëtare për të drejtat e njeriut vihet në provime më të vështira”, tha Dunja Mijatovic në fjalimin e saj kryesor në Forumin e mbajtur në vitin 2020, disa javë pasi vendet europiane filluan të bënin bllokime për shkak të pandemisë globale COVID 19 në të cilën ajo bëri thirrje për solidaritet, besim dhe transparencë më të madhe mes qeverive për të mbrojtur dhe mbështetur të drejtat e njeriut në mënyrë efektive.

Ndërsa Forumi feston një dekadë të  zhvillimit të vet, ai vazhdon të evoluojë, me Forumin e X Vjetor të Sundimit të Ligjit që po afrohet.

Forumi i sivjetëm do të përqendrohet në temën “Balancimi i mbrojtjes së të dhënave me drejtësinë transparente: Korniza ligjore europiane”. Diskutimet do të përqendrohen në mbrojtjen e Nenit 8, të drejtën për respektimin e jetës private dhe familjare, në kuadër të procedurave gjyqësore, duke marrë parasysh masat mbrojtëse të kërkuara sipas Nenit 6, të drejtën për gjykim të drejtë. Kjo përfshin balancimin e kërkesës për transparencë gjyqësore me kërkesën për të mbrojtur të drejtën e jetës private të palëve në procedurë, duke marrë parasysh kur është e përshtatshme ose e nevojshme të anonimizohen gjykimet dhe nëse dhe kur është e lejueshme të pranohen dhe/ose të mbështeten në provat e përgjuara të komunikimeve elektronike. Këto çështje janë aktuale në mbarë Europën, pasi teknologjia gjithnjë në zhvillim vazhdon të transformojë mënyrën se si ne hetojmë dhe ndjekim penalisht krimet dhe si zhvillojmë procedurat gjyqësore.