Nuk ka pasur shkelje të lirisë së shprehjes për shkak të refuzimit të kallëzimit penal të gazetarit i cili është shënjestruar në media

Në rastin Gaši dhe të tjerët kundër Serbisë (kërkesa nr. 24738/19, 06.09.2022) Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut nuk ka gjetur shkelje të Nenit 10 (liria e shprehjes) të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut.

Kërkuesit janë gazetarë dhe aktivistë të shoqërisë civile, shpesh kritikues të qeverisë dhe autoriteteve. Rasti ka të bëjë me pretendimet e tyre për një fushatë urrejtjeje kundër tyre në vitin 2016 pasi kishin marrë pjesë në protesta kundër disa projekteve të rrënimit dhe ndërtimit në Beograd dhe ndërrimit të menaxhmentit të një radio-televizioni lokal. Në veçanti, artikujt e shkruar dhe online në media i akuzonin kërkuesit se ishin tradhtarë dhe ekstremistë që vepronin në emër të Bashkimit Europian dhe SHBA-ve dhe që dëshironin të destabilizonin Shtetin dhe ta vrisnin Kryeministrin.  Kërkuesit dorëzuan kallëzimin penal kundër autorëve dhe redaktorëve të artikujve në fjalë, të cilat u hodhën poshtë nga prokuroria.

Duke u thirrë në Nenin 10 (liria e shprehjes) të Konventës, kërkuesit u ankuan se Shteti dështoi t’i mbronte nga fushata kundër tyre në media dhe nga komentet kërcënuese që vijuan. 

Gjykata gjeti se obligimet pozitive sipas Nenit 10 të Konventës u kërkojnë Shteteve që, duke vendosur një sistem efektiv të mbrojtjes së gazetarëve, të krijojnë mjedis të favorshëm për pjesëmarrje në debat publik të të gjithë personave të interesuar, duke u mundësuar të shprehin opinionet dhe idetë e tyre pa frikë, edhe nëse ato janë kundër atyre që mbrohen nga autoritetet zyrtare apo nga ndonjë pjesë e konsiderueshme e opinionit publik ose edhe nëse i irritojnë apo i shokojnë këto autoritete. 

Duke iu kthyer rastit në fjalë, Gjykata vuri re se, edhe pse kërkuesit deklaruan se ishin kërcënuar pas publikimit të artikujve në fjalë dhe transmetimit të programeve në fjalë, asnjëri prej tyre faktikisht nuk i është nënshtruar ndonjë akti të dhunës. Ata shprehën brengën dhe frikën e tyre tek autoritetet duke dorëzuar një kallëzim penal për diskriminim dhe shkelje të të drejtës për barazi kundër disa individëve privatë, i cili u shqyrtua pa vonesë (ndryshe nga Özgür Gündem kundër Turqisë, nr. 23144/93, ku autoritetet vendore – të cilat ishin të vetëdijshme për një varg veprimesh të dhunshme kundër një gazete dhe njerëzve të lidhur me të – nuk ndërmorën asnjë veprim për ta mbrojtur gazetën dhe gazetarët e saj). Ndërsa është e vërtetë se policia nuk i intervistoi të gjithë personat kundër të cilëve ishte bërë kallëzimi, Gjykata vuri re se situata faktike ishte pak a shumë e pakontestueshme dhe se vendimi për të mos i intervistuar të gjithë në një situatë të tillë nuk duket e paarsyeshme apo arbitrare. 

Gjykata vuri gjithashtu në dukje se nuk i takon asaj të vendosë mbi elementet përbërëse sipas ligjit vendor të shkeljeve të diskriminimit dhe shkeljeve të së drejtës për barazi apo ndonjë shkelje tjetër për këtë çështje. Roli i Gjykatës është të shqyrtojë sipas Nenit 10 vendimet që gjykatat vendore nxjerrin në bazë të fuqisë së tyre të vlerësimit. Sa i përket përmbajtjes së artikujve dhe transmetimeve televizive në fjalë dhe kallëzimit të kërkuesve, Gjykata nuk është e bindur se vendimi i prokurorit përkatës nuk u bazua në një vlerësim të pranueshëm të fakteve relevante. Gjykata vëren se prokurori shkoi edhe më tej, duke sugjeruar se akuzat në fjalë përbënin ndoshta shkelje penale të fyerjes, e cila ishte subjekt i ndjekjes penale private. Megjithatë, kërkuesit nuk e ndoqën këtë rrugë.

Tutje u vu në dukje se legjislacioni vendor parasheh një varg mjetesh që u ofrojnë kërkuesve mbrojtje të lirisë së shprehjes. Këtu, ndër tjerash, hyjnë në veçanti procedurat civile për shkeljen e ndalimit të gjuhës së urrejtjes, si dhe procedurat civile për kërkimin e kompensimit, duke kërkuar përgjigje apo korrigjim të informatës së publikuar, si dhe një numër masash të parapara në Organin Rregullues të Mediave Elektronike. 

Gjykata gjithashtu vuri në dukje raportet mbi gjendjen në Serbi lidhur me lirinë e shprehjes dhe sigurinë e gazetarëve dhe raportet e sulmeve fizike dhe llojeve të tjera të ndjekjes së dyshuar të gazetarëve. Megjithatë, duke pasur parasysh rrethanat specifike të çështjes në fjalë, Gjykata konsideron se gjetjet e prokurorit nuk ishin arbitrare ose dukshëm të paarsyeshme dhe as nuk mbështeteshin në një vlerësim të papranueshëm të fakteve relevante. Gjykata gjeti gjithashtu se Shteti ofroi një numër mjetesh të tjera efektive për mbrojtjen e kërkuesve, të cilat ata nuk i kanë përdorur. Së këndejmi, nuk ka pasur shkelje të Nenit 10 të Konventës.

Referencat nga faqja zyrtare e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut