Paraburgimi parandalues i të dënuarit për vrasje nuk e ka shkelur Konventën

Në rastin Ilnseher kundër Gjermanisë, Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut ka gjetur shkelje të Konventës. Rasti kishte të bënte me ligjshmërinë e paraburgimit të të dënuarit për vrasje.
Kërkuesi, Daniel Ilnseher, është shtetas gjerman dhe aktualisht është i ndaluar në një qendër paraburgimi në ambientet e burgut të Straubing-ut (Gjermani). Z. Ilnseher ka qenë në paraburgim parandalues që nga viti 2008, kur ai përfundoi dënimin dhjetëvjeçar për të miturit për vrasjen e një gruaje në vitin 1997. Krimi ishte me motive seksuale. Paraburgimi i tij u shty më vonë me urdhër të gjykatës, duke u bazuar në vlerësimet psikiatrike që zbuluan rrezik të madh se, nëse lirohet, ai mund të kryente krime të ngjashme serioze të natyrës seksuale dhe të dhunshme.
Duke u bazuar në Nenin 5 § 1 (e drejta për liri dhe siguri) dhe Nenin 7 § 1 (nuk ka dënim pa ligj), z. Ilnseher u ankua se ndalimi i tij parandalues “retrospektiv” kishte shkelur të drejtën e tij për liri dhe të drejtën e tij për të mos pasur dënim më të lartë se dënimi i aplikueshëm në kohën e veprës së tij. Në fund, ai u ankua në bazë të Nenit 5 § 4 (e drejta për të vendosur shpejt ligjshmërinë e paraburgimit nga një gjykatë) lidhur me kohëzgjatjen e procedurës për shqyrtimin e paraburgimit të tij të përkohshëm parandalues dhe në bazë të Nenit 6 § 1 (e drejta për gjykim të drejtë) për shkak të mungesës së paanshmërisë së njërit prej gjyqtarëve që kishin urdhëruar paraburgimin e tij parandalues.
Prandaj, Gjykata konstatoi se:

Nuk ka pasur shkelje të Nenit 5 § 1 (e drejta për liri dhe siguri) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut lidhur me paraburgimin parandalues të kërkuesit si rezultat i urdhrit të kundërshtuar për paraburgimin e tij parandalues. Gjykata konstatoi se ishte e nevojshme të vlerësonte nëse personi në fjalë ishte me mendje jo të shëndoshë, në bazë të ekspertizës objektive mjekësore, në datën e miratimit të masës që e privonte atë person nga liria.

Nuk ka pasur shkelje të Nenit 7 § 1 (nuk ka dënim pa ligj) për sa i përket paraburgimit parandalues të parashtruesit. Gjykata konstatoi se paraburgimi parandalues ishte urdhëruar si pasojë dhe duke u nisur nga nevoja për ta trajtuar çrregullimin e tij mendor.

Nuk ka pasur shkelje të Nenit 5 § 4 (e drejta për të vendosur shpejt ligjshmërinë e paraburgimit) nga Konventa sa i përket kohëzgjatjes së procedurës për shqyrtimin e paraburgimit të përkohshëm parandalues të parashtruesit. Gjykata konstatoi se duke pasur parasysh kompleksitetin e rastit, si nga pikëpamja juridike ashtu edhe nga ajo faktike, kohëzgjatja e gjykatave të vendit përputhej me kërkesën e shpejtësisë sipas Nenit 5 § 4.

Dhe, me shumicë, votash gjykata vendosi se nuk ka pasur shkelje të Nenit 6 § 1 (e drejta për gjykim të drejtë) të Konventës sa i përket mungesës së pretenduar të paanësisë së Gjykatësit P. në procedurat kryesore që kishin të bënin me urdhrin për paraburgimin parandalues të parashtruesit. Gjykata po ashtu nuk konstatoi se Gjykatësi P. ishte personalisht i anshëm ndaj z. Ilnseher dhe se nuk kishte dyshime objektivisht të justifikuara për paanshmërinë e tij në procedurat në fjalë.
Referencat nga uebfaqja zyrtare e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut