02 Gus Përgjegjësia për komentet në një profil publik në Facebook
Në rastin Sanchez kundër Francës (kërkesa nr. 45581/15, 15.05.2023) Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut vendosi me shumicë votash se nuk ka pasur shkelje të Nenit 10 (liria e shprehjes) të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut.
Kërkesa kishte të bënte me dënimin penal të kërkuesit, në atë kohë këshilltar lokal i cili po kandidonte për zgjedhje në Parlament, për veprën penale të nxitjes së urrejtjes ose dhunës ndaj një grupi ose një individi për shkak të fesë, pas dështimit të tij për të marrë masa të menjëhershme për të fshirë komentet e postuara nga palët e treta në “murin” e llogarisë së tij në Facebook. Kërkuesi pretendoi se dënimi i tij kishte shkelur të drejtën e tij për lirinë e shprehjes sipas Nenit 10 të Konventës.
Rasti penal u fokusua vetëm te mungesa e vigjilencës së kërkuesit dhe dështimin për të reaguar në lidhje me komentet e postuara nga të tjerët. Kështu ka ngritur çështjen e përgjegjësisë së përbashkët të aktorëve të ndryshëm të përfshirë në rrjetet sociale. Gjykatat penale franceze, duke zbatuar një regjim të “përgjegjësisë kaskaduese” të prezantuar me Ligjin e 29 korrikut të vitit 1982, kishin dënuar autorët për mesazhe të paligjshme së bashku me kërkuesin si mbajtës të llogarisë në Facebook, duke u karakterizuar si “prodhues”.
Së pari, Gjykata vlerësoi se kuadri ligjor i brendshëm, që parashikon ndarjen e përgjegjësisë mes të gjitha palëve të përfshira, kishte qenë mjaft i saktë, për qëllimet e Nenit 10 të Konventës, për t’i mundësuar kërkuesit të rregullonte sjelljen e tij në këto rrethana.
Së dyti, Gjykata ra dakord me gjykatat vendore që komentet në fjalë, të cilat ishin postuar në kontekstin specifik të zgjedhjeve të ardhshme, mund të klasifikohen si gjuhë urrejtjeje, kur interpretohen dhe analizohen në aspektin e ndikimit të tyre të menjëhershëm, dhe për këtë arsye ishin të paligjshme.
Së treti, ajo konsideroi se ndërhyrja në lirinë e shprehjes së kërkuesit nuk ndiqte vetëm qëllimin legjitim të mbrojtjes së reputacionit ose të drejtave të të tjerëve, por edhe atë të parandalimit të trazirave ose krimit. Meqë kërkuesi kishte vendosur ta bënte “murin” e tij në Facebook të qasshëm publikisht dhe kishte “autorizuar miqtë e tij të postonin komente”, sipas pikëpamjes së Gjykatës ai nuk mund të kishte qenë i pavetëdijshëm, duke pasur parasysh tensionet lokale dhe fushatën zgjedhore rreth asaj kohe, se zgjedhja e tij nuk ishte pa disa pasoja potencialisht serioze.
Gjykata konkludoi, duke marrë parasysh marzhën e vlerësimit të shtetit, se vendimet e gjykatave vendore ishin bazuar në të dhëna relevante dhe të mjaftueshme, në lidhje me përgjegjësinë e kërkuesit, si politikan, për komentet e paligjshme të postuara nga palët e treta, të cilët vetë ishin identifikuar dhe ndjekur penalisht si bashkëpunëtorë, si dhe për dënimin penal të kërkuesit. Ndërhyrja në fjalë mund të konsiderohet si “e nevojshme në një shoqëri demokratike”. Prandaj, nuk ka pasur shkelje të Nenit 10 të Konventës.
Referencat nga faqja zyrtare e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut