Përgjigjja zyrtare joefektive ndaj dhunës kundër grave

Në rastin Tërshana kundër Shqipërisë (kërkesa nr. 48756/14, 04.08.2020) Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut njëzëri ka gjetur se ka pasur shkelje të Nenit 2 (e drejta për jetë) të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut, si dhe shkelje të Nenit 2 (hetimi) të Konventës. 

Rasti kishte të bënte me një sulm me acid ndaj kërkueses në vitin 2009. Kërkuesja ishte duke ecur përgjatë një rruge në Tiranë kur një sulmues i paidentifikuar hodhi acid mbi të. Ajo u dërgua në spital në një gjendje kritike, duke pësuar 25 përqind djegie në fytyrë dhe në pjesën e sipërme të trupit. Pas sulmit, ajo shkoi në Itali për trajtim specialistik, duke iu nënshtruar të paktën 14 operacioneve mes viteve 2009 dhe 2012. Autoritetet ndjekëse menjëherë nisën një hetim mbi sulmin. Kërkuesja dha një deklaratë, duke thënë se ajo nuk e njihte sulmuesin e saj, por dyshoi se sulmi ishte organizuar nga ish burri i saj, i cili kishte qenë i dhunshëm ndaj saj dhe e kishte kërcënuar ta vriste në të kaluarën.

Gjykata gjeti në veçanti se Shteti nuk mund të mbahej përgjegjës për sulmin. Po të kishte qenë në dijeni të ndonjë rreziku për kërkuesen, do të kishte qenë detyra e shtetit të merrte masa parandaluese. Në rastin në fjalë, megjithatë, autoritetet vendore kishin marrë vesh për sjelljen e dhunshme të ish-burrit të kërkueses pas incidentit. 

Nga ana tjetër, hetimi për sulmin, i cili kishte karakteristikat e dhunës me bazë gjinore dhe për këtë arsye duhej t’i kishte nxitur autoritetet të reagonin me përkushtim të veçantë, nuk kishte qenë në gjendje as të identifikonte substancën e hedhur mbi të. Për më tepër, hetimi u ndal në vitin 2010, pa identifikuar personin përgjegjës, dhe kërkueses nuk i është dhënë asnjë informacion në lidhje me progresin e rastit që nga ajo kohë, megjithë pyetjet e saj të përsëritura. Gjykata nuk mund të pranonte në rrethana të tilla se përgjigjja e autoriteteve ndaj sulmit me acid ishte efektive. Andaj, ka pasur shkelje procedurale të Nenit 2.

Referencat nga faqja zyrtare e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut