Krizat, siç ishte ajo me pandeminë Covid-19, paraqesin sfida komplekse për autoritetet shtetërore. Situatat e tilla kërkojnë nga shtetet të balansojnë përgjegjësinë e tyre për t’iu përgjigjur shpejt dhe në mënyrë efikase një krize ndërsa vazhdojnë të garantojnë një varg të drejtash dhe lirish që mund të ndikohen nga kriza në fjalë. Duke u nisur nga analiza ligjore e Udhëzuesit 2020 “Covid-19 dhe Ndikimi i Covid-19 në të Drejtat e Njeriut” ky publikim mëton të ofrojë udhëzime praktike se si t’i qasemi më së miri çështjeve të reja që kanë dalur gjatë pandemisë duke mbrojtur njëkohësisht të drejtat e njeriut. Në Pjesën e Parë, udhëzuesi trajton çështjet kritike që paraqiten në situata emergjente siç ishte ajo me Covid-19, duke përfshirë mënyrat e balansimit të të drejtave të ndryshme të përfshira në kontekste nga vaksinimi i detyrueshëm deri te imponimi i mbylljes. Pjesa e Dytë e udhëzuesit përmban përmbledhje të praktikës gjyqësore të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut të identifikuara si më relevante karshi të drejtave të Konventës të shtjelluara në Pjesën e Parë.
Ky udhërrëfyes hedh një shikim të përgjithshëm mbi parimet kyçe tek të cilat bazohen pavarësia dhe paanshmëria e gjyqësorit, ashtu siç janë zhvilluar nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut. Në Pjesën I, autorët/et ndërmarrin një analizë të së drejtës për qasje në gjykatë sipas nenit 6 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, si element konceptual themelor i nocionit të shtetit të së drejtës, dhe e fokusojnë këtë analizë në kriteret institucionale të nenit 6 § 1, të cilat kanë të bëjnë me “gjykatën e pavarur dhe të paanshme të ngritur me ligj”. Ndërkohë që “pavarësia” dhe “paanshmëria” nganjëherë merren në konsideratë së bashku nga Gjykata, udhërrëfyesi i shqyrton ato në dy kapituj të ndarë, duke pasqyruar statusin e tyre si dy koncepte të dallueshme që ngërthejnë kritere të ndryshme. Pjesa II e udhërrëfyesit përmban përmbledhje të praktikës gjyqësore të Gjykatës që është identifikuar si më relevante për të drejtat e Konventës që diskutohen në Pjesën I.
Ky udhërrëfyes u krijua në reagim ndaj impaktit mbi mbrojtjen e të drejtave të njeriut gjatë pandemisë Covid-19. Pjesa e parë e publikimit analizon të drejtat në Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut të cilat janë prekur më shumë nga pandemia Covid-19 dhe nga veprimet e qeverive për të përmbajtur përhapjen e saj. Autorët/et i bazuan gjetjet e tyre mbi dispozitat e Konventës si dhe mbi vendimet përfundimtare dhe vendimet e tjera që ishin më relevante për problemet ligjore që u shfaqën gjatë pandemisë, dhe aplikuan praktikën gjyqësore ekzistuese të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut në kuadrin e ri të fakteve që mund të dalin para gjykatave. Udhërrëfyesi shtjellon çështje kyçe siç janë derogimi nga Konventa, qasja në gjykata dhe e drejta për trajtim mjekësor, dhe është një instrument i dobishëm për interpretimin dhe zbatimin e të drejtave të Konventës në kontekstin e krizës së Covid-19. Pjesa II e udhërrëfyesit përmban përmbledhje të praktikës gjyqësore të Gjykatës që është identifikuar si më relevante për të drejtat e Konventës që diskutohen në Pjesën I.
Udhërrëfyesi është pjesë e një projekti më të gjerë i cili synon të adresojë sfidat që kanë hasur vendet e Ballkanit Perëndimor gjatë përballjes me një numër gjithnjë e më të madh të migrantëve dhe refugjatëve të ardhur në Evropë që nga viti 2015. Vendet e këtij rajoni janë kryesisht vende tranzit për migrantët dhe refugjatët, por njëkohësisht ka pasur rritje të numrit të kërkesave për azil edhe në vetë vendet e Ballkanit Perëndimor si pasojë e rreptësimit të kontrolleve kufitare nga Shtetet Anëtare të Bashkimit Evropian. Autorët/et ofrojnë analiza, komente ekspertësh, si dhe përmbledhje të çështjeve nga praktikat më të rëndësishme gjyqësore të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, të Gjykatës së Drejtësisë së Bashkimit Evropian dhe gjykatave vendase evropiane në lidhje me azilin. Ky publikim ka për qëllim të shtojë njohuritë dhe kapacitetet e gjyqësorëve në Ballkanin Perëndimor për të siguruar zbatimin e duhur të standardeve ndërkombëtare në nivel vendi dhe mbrojtjen e të drejtave themelore të azilkërkuesve.
Ky udhërrëfyes fokusohet tek të drejtat e fëmijës në praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Ai thekson qasjen e Gjykatës ndaj parimeve kyçe: përparësia e interesit më të mirë të fëmijës, përfshirë rëndësinë e dëgjimit të fëmijës, dhe zbatimi i detyrimeve të Shtetit ndaj fëmijëve në një sërë situatash. Autorët/et nënvizojnë jurisprudencën përkatëse dhe bëjnë përmbledhje të rasteve relevante për çështje si kujdestaria, fëmijët nën përkujdesje, fëmijët dhe sistemi i drejtësisë penale, dhe fëmijët dhe imigracioni.
Ky udhërrëfyes ofron një shikim të përgjithshëm të jurisprudencës së Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut mbi nenin 3 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut – ndalimi i torturës, trajtimit ose ndëshkimit çnjerëzor ose poshtërues. Kuptimi i detyrimit negativ të Shteteve për të mos u përfshirë direkt në trajtim të ndaluar dhe detyrimet pozitive, procedurale dhe operacionale, për të siguruar që individët brenda juridiksionit të një Shteti janë të mbrojtur nga trajtimi i ndaluar është i rëndësisë kritike. Duke bërë një analizë të jurisprudencës së Gjykatës dhe përmbledhjeve të çështjeve relevante nga praktika gjyqësore, ky publikim mëton të mbështesë të kuptuarit e mëtejshëm të nenit 3 dhe të ndihmojë zbatimin e kësaj të drejte të Konventës në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Ky udhërrëfyes eksploron të drejtën e lirisë së shprehjes të ngërthyer në nenin 10 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Në Pjesën I, autorët/et theksojnë interpretimin e gjerë të këtij neni nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, dhe mënyrat se si e drejta e një personi për lirinë e shprehjes me gjasë mund të ndikojë tek të drejtat e të tjerëve sipas Konventës. Duke theksuar natyrën e nenit 10 si e drejtë e kualifikuar, ky udhërrëfyes përqendrohet tek rastet kur ndërthuren të drejtat e Konventës dhe vendosja e ekuilibrit që kërkohet nga gjykatat. Kryesisht, shqyrtohet marrëdhënia e të drejtës për lirinë e shprehjes me të drejtën e nenit 6 për gjyq të drejtë, dhe të drejtën e nenit 8 për respekt ndaj jetës private. Pjesa II e udhërrëfyesit përmban përmbledhje të praktikës gjyqësore të Gjykatës që është identifikuar si relevante për diskutimet në Pjesën I.