04 Nën Qasja në drejtësi për romët në Hungari dhe Serbi
Raporti “Ndërtimi i besimit në barazi: Zgjerimi i qasjes në drejtësi për romët në Hungari dhe Serbi”, i publikuar në shtator 2022, u hartua në kuadër të projektit ‘Barazia rome nëpërmjet rritjes së qasjes ligjore’ (REILA) i financuar nga Bashkimi Europian. Projekti është duke u zhvilluar që nga shtatori 2020, i mbikqyrur së bashku nga Minority Rights Group Europe (MRGE), Praxis (Serbi) dhe Shoqata Idetartozunk (‘Ne e kemi vendin këtu’) (Hungari). Qëllimi i projektit është të nxisë dhe mbrojë të drejtat e romëve subjekt i shkeljeve të të drejtave të njeriut dhe diskriminimit duke rritur ndërgjegjësimin përgjatë shoqërisë dhe mes hisedarëve, duke zgjeruar zbatimin e legjislacionit jodiskriminues dhe duke i fuqizuar romët të kërkojnë zgjidhje ligjore në Hungari dhe Serbi.
Raporti përmbledh mësimet e nxjerra nga puna në terren bazuar në përvojat e vetë ndërmjetësve dhe paraqet rastet e diskriminimit në të dy vendet, duke përfshirë zgjidhjen e tyre. Raporti gjithashtu tregon se si vizitat në terren dhe puna ligjore kontribuan në rritjen e ndërgjegjësimit mes romëve rreth të drejtave të tyre dhe i mbështeti ata në eleminimin e pengesave në qasjen e tyre në drejtësi. Tutje, mësimet dhe përfundimet e vizitave në terren dhe punës ligjore në të dy vendet e synuara mund të aplikohen potencialisht dhe të zbatohen në kontekste të tjera europiane ku romët ndeshin vështirësi të ngjashme në qasjen e tyre në drejtësi në rastet e diskriminimit.
Në Serbi dhe Hungari, romët përjetojnë në mënyrë rutinore diskriminimin, zakonisht të nxitur nga qëndrimet negative dhe paragjykimet, në një varg fushash të jetës së tyre që nga mosha e hershme. Përkundër numrit të madh të rasteve, incidentet e diskriminimit zakonisht nuk raportohen. Romët shpesh duhet të pranojnë diskriminimin kundër tyre si pjesë të jetës së tyre të përditshme dhe nuk janë të gatshëm t’u raportojnë rastet autoriteteve nga frika e hakmarrjes apo sepse u mungon besimi në efektshmërinë e sistemit gjyqësor.
Në Hungari, rregullimi i komplikuar i përfaqësimit ligjor, natyra e zgjatur dhe përfundimi i pasigurtë i rasteve të diskriminimit, si dhe efekti i kufizuar parandalues i gjykimeve, kontribuojnë më tej në ngurrimin e romëve për të raportuar diskriminimin. Në të dy vendet, romët kanë nevojë për mbështetje ligjore pasi shpesh u mungojnë njohuritë e përcaktimit ligjor të diskriminimit,
zgjidhjet ligjore në dispozicion dhe forumet ligjore të cilave mund t’u drejtohen. Ata gjithashtu shkurajohen nga natyra e paefektshme e sistemit ligjor dhe pengesat e ndryshme që ndeshin kur
vendosin të raportojnë. Prandaj, numri i rasteve të raportuara në organet e barazisë nacionale (Komisioneri për Mbrojtjen e Barazisë në Serbi dhe Drejtoria e Përgjithshme e Trajtimit të Barabartë në Hungari – CPE dhe DGET) përbëjnë vetëm një pjesë të vogël të diskriminimit me të cilin romët aktualisht përballen.
Edhe në ato raste të cilat raportohen në organin e barazisë nacionale, vendimet apo rekomandimet pozitive miratohen vetëm në një numër të vogël rastesh.
Puna ligjore e projektit REILA, duke rritur ndërgjegjësimin e komunitetit rom rreth të drejtave të tyre dhe zgjidhjeve ligjore në dispozicion nëpërmjet ndërmjetësve, këshillimit ligjor falas dhe mbështetjes në raportimin e rasteve të tyre tek organi i barazisë nacionale, kishte për qëllim të trajtonte pengesat që ndeshin romët në qasjen e tyre në drejtësi.
Raportin e plotë mund ta gjeni këtu.
Referencat nga faqja zyrtare e OJQ-së PRAXIS