15 Gus Qëndrimi i shtetit në rastin e një mosmarrëveshjeje rreth mbajtjes së marrëdhënieve personale me fëmijën ishte në përputhje me Konventën
Në rastin Jurišić kundër Kroacisë (nr. 2) (kërkesa nr. 8000/21, 07.07.2022) Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut nuk ka gjetur shkelje të Nenit 8 (e drejta për respektimin e jetës private dhe familjare).
Rasti kishte të bënte me mosmarrëveshjes rreth kontaktit me të birin e kërkuesit, të lindur më 2006. Në një aktgjykim të mëparshëm të 18 janarit 2020 (Jurišić kundër Kroacisë, kërkesa nr. 29419/17), Gjykata Evropiane gjeti se kërkuesi nuk ishte në gjendje të kishte ndonjë kontakt kuptimplotë me të birin e tij faktikisht që nga lindja, kryesisht për shkak të moszbatimit të vendimeve gjyqësore në favor të tij. Zbatimi i atij aktgjykimi ende është në pritje përpara Komitetit të Ministrave, degës ekzekutive të Këshillit të Europës. Që nga ky aktgjykim i vitit 2020, gjykatat kroate kanë nxjerrë vendime të reja për rivendosjen graduale të kontaktit mes kërkuesit dhe të birit të tij, ndërsa nëna është gjetur fajtore për pengim. Në këtë kërkesë të dytë në Gjykatën Europiane, kërkuesi ankohet sipas Nenit 8 (e drejta për respektimin e jetës private dhe familjare) të Konventës Europiane për paaftësinë e tij të vazhdueshme për të pasur kontakt me djalin e tij.
Qeveria paraqiti se kërkesa e tanishme lidhet tërësisht me ekzekutimin e aktgjykimit të mëparshëm të Gjykatës të 16 janarit 2020, i cili ishte brenda kompetencës ekskluzive të Komitetit të Ministrave. Kërkuesi pohoi se kërkesa e tij nuk ishte sjellë ekskluzivisht në lidhje me dështimin e shtetit për të ekzekutuar gjykimin e Gjykatës më 16 janar 2020. Ndërkohë, ishin nxjerrë vendime të reja, të cilat shkelnin më tej të drejtat e tij sipas Konventës. Më saktësisht, zbatimi i një urdhëri të mëparshëm përfundimtar dhe të zbatueshëm gjykate që rregullonte kontaktin e tij me djalin e tij u ndërpre në mënyrë të paligjshme dhe ishte nxjerrë një urdhër i ri kontakti.
Gjykata vuri në dukje se menjëherë pas gjykimit të parë të Gjykatës në rastin në fjalë, gjykatat vendore ndërprenë zbatimin e gjykimit të 14 majit 2010 pasi ishte e pamundur që ai të zbatohej. Më saktësisht, ky aktgjykim i kishte dhënë kërkuesit kontakt të mjaftueshëm me djalin e tij, duke përfshirë çdo të dytën fundjavë, por asnjë lloj zbatimi nuk kishte qenë produktiv, duke përfshirë masa detyruese. Prandaj, ekspertët arritën në përfundimin njëzëri se vendosja e një kontakti kaq të gjerë mes kërkuesit dhe djalit të tij, i cili ishte larguar prej tij, nuk ishte në interesin më të mirë të fëmijës. Në vend të kësaj, ata propozuan që kontakti mes kërkuesit dhe I.R. të jetë gradual. Gjykata vuri në dukje në lidhje me këtë se gjykatat vendore, në një aktgjykim të arsyetuar mirë, shpjeguan qartë arsyet e vendimit të tyre, me të cilat Gjykata nuk sheh arsye për të mos qenë dakord.
Në nëntor 2020 gjykata përkatëse miratoi një urdhër të ri kontakti, i cili kishte për qëllim rivendosjen graduale të kontaktit mes kërkuesit dhe djalit të tij. Përsëri, në një vendim të arsyetuar mirë, gjykata shqyrtoi situatën familjare në tërësi, duke vënë në dukje marrëdhënien shumë të dobët të prindërve dhe dështimin e tyre për të bashkëpunuar. Derisa M.R. nuk kishte asnjë synim për të bashkëpunuar me shërbimet sociale, kërkuesi ishte gjithashtu mjaft këmbëngulës në kërkesat e tij, në vend se të ishte i vëmendshëm ndaj dëshirave të fëmijës. Për më tepër, Gjykata nuk mund të mos theksojë se kërkuesi mbeti jobashkëpunues gjatë disa përpjekjeve për të realizuar kontaktin siç përcaktohet nga vendimi i gjykatës i 2 nëntorit 2020.
Gjykata vuri re se detyra e autoriteteve vendore në rastin e tanishëm është bërë veçanërisht e vështirë nga qëndrimi negativ i M.R. dhe fakti se fëmija refuzoi të takohej me babanë e tij. Megjithatë, Gjykata vuri në dukje se gjatë periudhës që bie brenda kompetencave të saj, autoritetet vendore ndërmorën një numër hapash drejt mundësimit të kontaktit të kërkuesit me djalin e tij. Ata miratuan një program të ri kontakti, në përputhje me interesin më të mirë të vendosur të fëmijës dhe organizuan një numër përpjekjesh për një kontakt të tillë, i cili kryesisht dështoi për shkak të sjelljes së të dy prindërve. Ato gjithashtu e gjetën M.R. fajtore për pengimin e kontaktit të kërkuesit me djalin e tij në dy raste të procedimeve penale dhe parashtruan tre ankesa të mëtejshme penale kundër saj në këtë drejtim. Duke pasur parasysh se detyrimet pozitive të shtetit në raste të tilla janë ato të mjeteve dhe jo të rezultatit, Gjykata gjeti se nuk ka pasur shkelje të Nenit 8 të Konventës.
Referencat nga faqja zyrtare e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut