Raporti i GRETA-s për Malin e Zi 2021

Në një raport të ri për Malin e Zi, të publikuar më 02.06.2021 grupi antitrafik i Këshillit të Europës u bën thirrje autoriteteve të përmirësojnë qasjen e viktimave të trafikimit në drejtësi dhe kompensim dhe të sigurojnë që autorët të dënohen.

GRETA vuri në pah se është bërë përparim në disa fusha që nga publikimi i raportit të dytë të vlerësimit të GRETA-s për Malin e Zi në shtator 2016, si miratimi i procedurave standarde të funksionimit për identifikimin e viktimave të trafikimit dhe themelimi i një ekipi multidisiplinor të identifikimit. Më tej, me synimin për të forcuar hetimin dhe ndjekjen penale të rasteve të trafikimit njerëzor, autoritetet kanë themeluar një ekip operativ për të luftuar trafikimin e qenieve njerëzore.

Në të njëjtën kohë, GRETA nxit autoritetet të bëjnë hapa të mëtejshëm për të garantuar qasjen në drejtësi për viktimat e trafikimit, duke siguruar që avokatët që ofrojnë ndihmë juridike për viktimat e trafikimit t’i nënshtrohen trajnimit dhe specializimit të nevojshëm. Autoritetet malazeze duhet të ndërmarrin hapa për të garantuar procedura të ndjeshme ndaj fëmijëve kur hetojnë, ndjekin penalisht dhe gjykojnë raste të trafikimit njerëzor, përfshirë masat për të siguruar numër të mjaftueshëm të dhomave të intervistave të përshtatura për fëmijët në mbarë vendin.

Raporti vë në dukje se asnjërës nga viktimat e trafikimit që paraqitën kërkesa pronësore në procedurat penale nuk i është dhënë kompensim nga autorët e veprës dhe nuk kishte raste të trafikimit njerëzor në të cilat pasuria e të pandehurit ishte sekuestruar ose konfiskuar. GRETA u bën thirrje autoriteteve të bëjnë përpjekje konkrete për të garantuar qasje efektive në kompensimin e viktimave të trafikimit, përfshirë nxjerrjen në fuqi pa vonesa të mëtejshme Ligjin për Kompensimin e Dëmeve për Viktimat e Krimeve të Dhunshme, i cili do t’u mundësonte viktimave të trafikimit të kërkojnë kompensim nga shteti.

Dënimet përfundimtare efektive janë dhënë në dy raste të trafikimit njerëzor që nga viti 2014. GRETA thekson se rikualifikimi i veprës së trafikimit të qenieve njerëzore në vepra të tjera që mbartin dënime më të lehta, si dhe dështimi për të dënuar trafikantët krijojnë ndjenjë mosndëshkimi dhe cënojnë përpjekjet për të mbështetur viktimat për të dëshmuar. GRETA nxit autoritetet të marrin masa për të forcuar reagimin e drejtësisë penale ndaj trafikimit njerëzor dhe për të inkurajuar specializimin e prokurorëve dhe gjyqtarëve për të punuar në çështjet e trafikimit njerëzor.

Mali i Zi është një vend i origjinës, destinacionit dhe tranzitit të personave të trafikuar. Deri në fund të vitit 2019, numri i viktimave të identifikuara, kryesisht gra dhe fëmijë nga Mali i Zi, ishte i ulët. Që nga nëntori i vitit 2019, pas zbulimit të një rasti në shkallë të gjerë që përfshinte viktima nga Tajvani, numri i viktimave të identifikuara është rritur, duke arritur 52 në fund të vitit 2020. Të dhënat për vitin 2020 tregojnë jo vetëm rritje të madhe të numrit të viktimave të identifikuara, por edhe rritje të viktimave meshkuj dhe kryesisht për eksploatim. 

Këtu mund të lexoni raportin: https://rm.coe.int/evaluation-report-on-the-implementation-of-the-council-of-europe-conve/1680a2aefc

Referencat nga faqja zyrtare e Këshillit të Europës