Raporti i tretë i vlerësimit të GRETA-s për Maqedoninë e Veriut

raportin e tij të vlerësimit të raundit të tretë të botuar më 24.03.2023, Grupi i Ekspertëve për Veprim kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore (GRETA) përshëndet përparimin e Maqedonisë së Veriut në zhvillimin e kornizës legjislative kundër trafikimit të qenieve njerëzore, por bën thirrje për zbatimin më të mirë të saj në drejtim të qasjes së viktimave në drejtësi dhe mjeteve juridike efektive.

Duke u bazuar në një vizitë të GRETA-s në vend në mars të vitit të kaluar dhe informatat e dhëna nga autoritetet dhe shoqëria civile, raporti vëren se numri i viktimave të identifikuara zyrtarisht ka qenë i ulët (mes dy dhe nëntë në vit, me përjashtim të vitit 2021 kur u identifikuan 39 viktima nga Tajvani), me një zhvendosje në shfrytëzimin e punës si forma mbizotëruese e shfrytëzimit.

Përmirësimet e kuadrit legjislativ përfshijnë Ligjin e vitit 2018 për të Huajt, i cili parashikon një periudhë rikuperimi dhe reflektimi dhe leje qëndrimi të rinovueshme për viktimat e trafikimit bazuar në situatën e tyre personale. Një dispozitë specifike për mosndëshkimin e viktimave të trafikimit njerëzor u përfshi në Kodin Penal. Tutje, Ligji për Pagesën e Kompensimit Monetar për Viktimat e Krimeve të Dhunshme u miratua në nëntor të vitit 2022, duke futur kompensimin shtetëror për viktimat e trafikimit të qenieve njerëzore. Hapja e Zyrës së Avokatit të Popullit si Raportuese Kombëtare për Luftën kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore është mirëpritur edhe nga GRETA.

GRETA konstaton se dispozitat për ndihmë ligjore për viktimat e trafikimit të qenieve njerëzore nuk kanë qartësi dhe vë në dukje boshllëqet në aplikimin e tyre. Grupi u kërkon autoriteteve të sigurojnë një bazë të qartë për të ofruar ndihmë ligjore sapo të ketë bazë të arsyeshme për të besuar se një person është viktimë e trafikimit.

Tutje, GRETA konsideron se viktimat duhet të kenë qasje efektive në tregun e punës dhe të pajisen me trajnime profesionale dhe punësim për të rritur përfshirjen e tyre sociale dhe ekonomike.

Ndërsa përgëzoi themelimin e një Njësie Kombëtare për Luftimin e Trafikimit të Qenieve Njerëzore dhe Kontrabandës së Migrantëve dhe rritjen e numrit të dënimeve në krahasim me periudhën e mëparshme të vlerësimit, GRETA vëren se në shumicën e rasteve dënimet ishin shumë më poshtë se minimumi ligjor.

Grupi i ekspertëve të Këshillit të Evropës kundër trafikimit u kërkon autoriteteve të forcojnë kapacitetet njerëzore, financiare dhe teknike të agjencive të zbatimit të ligjit për t’u mundësuar atyre që të hetojnë në mënyrë proaktive veprat penale të trafikimit të qenieve njerëzore, duke përdorur të gjitha provat e mundshme, përfshirë provat e mbledhura përmes masave të veçanta hetimore, si dhe provat financiare dhe digjitale.

Duke analizuar zbatimin e rekomandimeve të mëparshme të GRETA-s, raporti mirëpret trajnimin e ofruar për inspektorët e punës, por u kërkon autoriteteve të sqarojnë mandatin e Inspektoratit të Punës dhe t’i sigurojnë atij burime të përshtatshme njerëzore dhe financiare.

GRETA është gjithashtu e shqetësuar me mungesën e vazhdueshme të akomodimit të sigurtë për viktimat meshkuj të trafikimit dhe mungesën e akomodimit adekuat për fëmijët viktima. Prandaj, GRETA u kërkon autoriteteve të sigurojnë burime të përshtatshme financiare dhe njerëzore për ndihmën e viktimave të trafikimit, duke përfshirë OJQ-të e specializuara të mandatuara për të ofruar ndihmë dhe për të siguruar që të gjitha viktimat e trafikimit të kenë qasje efektive në kujdesin shëndetësor publik. 

Raporti është në dispozicion këtu: https://rm.coe.int/greta-evaluation-report-on-north-macedonia-third-evaluation-round/1680aa573

Referencat nga faqja zyrtare e Këshillit të Europës