20 Qer Raporti Vjetor 2022 i Komisioneres së KE-së për të Drejtat e Njeriut
“Mbrojtja e të drejtave të njeriut në Europë ka pësuar pengesa serioze në vitin 2022”, tha Komisionerja e Këshillit të Europës për të Drejtat e Njeriut, Dunja Mijatovic, duke paraqitur Raportin e saj Vjetor. “
Raporti kryesisht përqendrohet në mizoritë e kryera nga Federata Ruse në sulmin e saj ushtarak në Ukrainë. Kjo përfshin trajtimin e shkeljeve të të drejtave të njeriut të fëmijëve ukrainas të transferuar në Federatën Ruse ose territore të okupuara përkohësisht, disa prej të cilëve u është dhënë shtetësia ruse në shkelje të hapur të së drejtës ndërkombëtare humanitare.
Raporti gjithashtu përmend një mision që Komisionerja kreu në Kosovë nga 30 maji deri më 3 qershor, duke u përqëndruar në çështjet që lidhen me drejtësinë tranzicionale dhe kohezionin social, lirinë e mediave dhe çështjet që lidhen me të drejtat e grave dhe barazinë gjinore. Pas misionit, Komisionerja publikoi një memorandum më 18 tetor ku vuri në dukje nevojën që Kosova të trajtojë mangësitë në hetimin, ndjekjen penale dhe gjykimin e krimeve të lidhura me luftën tani nën përgjegjësinë e sistemit të saj të drejtësisë dhe të rrisë bashkëpunimin me Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Ajo nxiti bashkëpunimin mes Beogradit dhe Prishtinës për kërkimin e personave që ende konsiderohen të zhdukur si pasojë e konfliktit. Komisionerja theksoi më tej nevojën për të siguruar që të gjitha viktimave civile të luftës t’u jepet qasje në dëmshpërblime dhe kushte të sigurta për të dalë përpara, si dhe nevojën për të adresuar pengesat për kthimet e qëndrueshme.
Tutje, Komisionerja gjithashtu thekson se trajtimi i azilkërkuesve, refugjatëve dhe emigrantëve në Europë tregon një dështim të vazhdueshëm dhe të qëllimshëm nga shumë shtete anëtare për të mbështetur detyrimet e tyre ndërkombëtare për të drejtat e njeriut në këtë fushë. “Refuzimet për të shpëtuar anijet në vështirësi, kushtet dhe trajtimi çnjerëzor janë tiparet e përbashkëta të një qasjeje ndaj migrimit të përqendruar në mënyrë disproporcionale në sigurinë që rrezikon jetën njerëzore. Në vend që të vazhdojnë në këtë rrugë, vendet anëtare duhet të përqendrohen në sigurimin e rrugëve të sigurta dhe ligjore, ndihmën humanitare përgjatë rrugëve të migrimit dhe kërkimin dhe shpëtimin në det”.
Sipas raportit, viti 2022 u karakterizua gjithashtu nga një klimë e përhapur e jotolerancës, armiqësisë dhe madje edhe dhunës ndaj personave LGBTI. “Instrumentalizimi politik i çështjeve që lidhen me të drejtat e tyre njerëzore, si njohja ligjore e çifteve të së njëjtës gjini ose e drejta e tyre për jetën familjare, ka shërbyer vetëm për të rritur armiqësinë dhe dezinformimin ndaj personave LGBTI dhe për të polarizuar shoqërinë”, shkruan Komisionerja, duke theksuar se kjo situatë është simptomë e një problemi më të gjerë të regresit në angazhimin për të siguruar të drejta të barabarta për të gjithë.
Komisionerja gjithashtu thekson se hapësira për shoqërinë civile, mbrojtësit e të drejtave të njeriut dhe individët në përgjithësi për të ushtruar liritë themelore ka vazhduar të tkurret. Një fushë tjetër ku ende nevojitet përparim është mbrojtja dhe promovimi i të drejtave të grave dhe barazisë gjinore. Gratë dhe vajzat në Europë ende përballen me sfida të mëdha si dhuna gjinore dhe pengesat në qasjen në shëndetin dhe të drejtat e tyre seksuale dhe riprodhuese, edhe për shkak të ndikimit të pandemisë COVID-19 dhe luftës në Ukrainë.
Referencat nga faqja Këshillit të Europës