Rekomandim i ri i Komitetit të Ministrave për parandalimin dhe luftimin e trafikimit të qenieve njerëzore me qëllim të eksploatimit të punës

Trafikimi i qenieve njerëzore me qëllim të eksploatimit të punës është në rritje në Europë, dhe prek një numër të shtuar të grave, burrave dhe fëmijëve. Kësisoji, Rekomandimi i Komitetit të Ministrave për parandalimin dhe luftimin e trafikimit të qenieve njerëzore me qëllim të eksploatimit të punës, i miratuar më 27 shtator 2022, ka ardhur në kohë të duhur. Rekomandimi u bën thirrje shteteve anëtare të Këshillit të Europës të miratojnë ligje, politika dhe strategji kombëtare që adresojnë trafikimin me qëllim të eksploatimit të punës, duke ndjekur një qasje të bazuar në të drejtat e njeriut dhe të përqendruar në viktima. Ai plotëson instrumentet ekzistuese ligjërisht të detyrueshme, në veçanti Konventën e Këshillit të Europës për Veprimin kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore dhe mbështetet në punën e monitorimit dhe udhëzimin e Grupit të Ekspertëve për Veprimin kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore (GRETA), praktikën gjyqësore të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe konkluzionet dhe vendimet e Komitetit Europian për të Drejtat Sociale.

Memorandumi i tij shpjegues përmban një paketë gjithëpërfshirëse masash, duke filluar me parandalimin dhe rregullimin e tregut të punës. Ai thekson se shtetet anëtare duhet t’u sigurojnë inspektorateve të punës mandat gjithëpërfshirës, trajnim dhe burime të mjaftueshme njerëzore dhe financiare për t’u mundësuar atyre të jenë të pranishëm rregullisht dhe në mënyrë proaktive në të gjithë sektorët ekonomikë. Tutje, ato duhet të rregullojnë dhe monitorojnë agjencitë e punësimit dhe rekrutimit dhe të shqyrtojnë praktikat potencialisht të parregullta të tregut të punës.

Shtetet anëtare gjithashtu duhet të përforcojnë dhe t’i japin përparësi zbulimit të rasteve të trafikimit të qenieve njerëzore me qëllim eksploatimin e punës dhe identifikimin e viktimave. Kështu, ato duhet të krijojnë mekanizma të sigurtë të raportimit dhe ankesave efektive, mundësi konkrete për rregullimin e statusit të qëndrimit të personit të trafikuar dhe qasje në tregun e punës, si dhe mundësinë e tyre reale për të marrë kompensim dhe kthim të pagës.

Për më tepër, shtetet anëtare duhet të përcaktojnë parametrat e eksploatimit të punës, nëpërmjet ligjit ose udhëzimit, dhe të miratojnë udhëzime specifike për vendin për interpretimin dhe zbatimin e rregullave të eksploatimit të punës. Duhet të krijohen procedurat specifike të hetimit dhe njësitë e specializuara brenda policisë dhe Prokurorisë, me burime dhe trajnime të përshtatshme.

Përveç kësaj, autoritetet duhet të sigurojnë që bizneset dhe organizatat publike të veprojnë me kujdesin e duhur dhe të hartojnë dhe trajtojnë rreziqet e trafikimit të qenieve njerëzore në zinxhirët e tyre të furnizimit dhe prokurimit.

Rekomandimi është gjithashtu në dispozicion në boshnjakisht dhe serbisht.

Referencat nga faqja e Këshillit të Europës