Rritet numri i vendimeve të pazbatuara të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut

Raporti vjetor për vitin 2022 për zbatimin e vendimeve të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut të publikuara nga Komiteti i Ministrave i Këshillit të Europës tregon se numri i vendimeve të GJEDNJ-së që duhet të ekzekutohen plotësisht nga vendet e Ballkanit dhe Evropës Qendrore mbetet i lartë.

Vendet e Ballkanit dhe të Europës Qendrore vazhdojnë të kenë numrin më të madh të rasteve të GJEDNJ-së që duhen zbatuar. Rreth 78 raste që duhet të zbatohen plotësisht në vitin 2022 vinin nga Serbia, 77 nga Turqia, 63 nga Hungaria, 54 nga Polonia dhe 36 nga Moldavia.

“Megjithatë, ka pasur rritje të numrit të përgjithshëm të vendimeve aktualisht në pritje të zbatimit të plotë (6,081 sosh krahasuar me 5,533 sosh në dhjetor 2021)”, thuhet në raport.

Raporti vuri në dukje se zbatimi i plotë i vendimeve të GJEDNJ-së nga shteti anëtar përballet me disa sfida. “Kjo situatë sfiduese është përkeqësuar nga numri i madh i problemeve sistemike ose komplekse që nuk janë zgjidhur nga shtetet në fjalë dhe që Komiteti ka vazhduar t’i shqyrtojë në vitin 2022”,, thuhet në raport.

Sipas raportit, kjo mund të shpjegohet pjesërisht nga mungesa e vullnetit politik për të ndërmarrë reforma të cilat mund të kërkojnë përpjekje dhe shpenzime të vazhdueshme.

“Kjo gjithashtu lidhet me problemin e vazhdueshëm në një numër shtetesh me kapacitet të pamjaftueshëm për të marrë masa për të siguruar ekzekutimin e shpejtë, të plotë dhe efektiv të vendimeve të Gjykatës Europiane, veçanërisht për shkak të statusit të ulët dhe/ose mungesës së burimeve të koordinatorëve kombëtarë”, vazhdon tutje raporti.

Edhe pse numri i lëndëve në pritje të zbatimit plotësisht ishte 6,112 në vitin 2022, pothuajse gjysma e numrit në vitin 2012, rastet e reja mund t’i paraqesin barrë gjykatës, vëren raporti.

Në vitin 2022, u shtuan 1,459 raste të reja që duhen zbatuar nga shtetet anëtare – një numër rekord në dekadën e fundit. Gjithsej 880 raste u mbyllën, e që është numri më i ulët i rasteve të mbyllura që nga viti 2012.

Referencat nga BalkanInsight