04 Mar Serbia shpërfill kritikat nga institucionet ndërkombëtare rreth ekploatimit të dyshuar të punëtorëve vietnamezë
Analiza e BIRN-it e publikuar më 1 shkurt 2022 paralajmëron se përkundër një rezolute të Parlamentit Evropian, një thirrjeje të OKB-së dhe dëshmive të mbledhura nga mediat dhe OJQ-të, Serbia nuk po heton akuzat se punëtorët vietnamezë po eksploatoheshin në një kantier ndërtimi të udhëhequr nga kinezët.
Tre muaj pasi publiku u alarmua nga pretendimet për eksploatim dhe trafikim njerëzor të punëtorëve vietnamezë të punësuar nga një investitor kinez, institucionet serbe nuk e kanë hetuar rastin. Pak institucione iu përgjigjën hulumtimeve të OJQ-së rreth rastit dhe asnjë prej tyre nuk ka kryer hetim të duhur mbi pretendimet për ekploatim sistematik të punës, duke filluar nga kontratat e paligjshme deri te keqinformimi përpara mbërritjes, ndëshkimet e paqarta financiare, lejet e dyshimta të punës dhe kushtet e këqija të jetesës. Akuzat për trafikim njerëzor për shkak të pasaportave të konfiskuara, lirisë së kufizuar të lëvizjes, kontratave “e futjes në grackë” dhe mashtrimit sistematik të punëtorëve nuk janë hetuar nga Qendra për Mbrojtjen e Viktimave të Trafikimit Njerëzor të shtetit serb.
“Punëtorët e atij institucioni, të thirrur për të identifikuar viktimat, personeli i të cilave merr paga nga buxheti i taksapaguesve, nuk kanë kryer as intervista me ata punëtorë [vietnamezë] tash e tre muaj”, u ankua Tina Piskulidis nga ASTRA, një nga organizatat që alarmoi publikun.
Institucionet e shtetit që zyrtarisht është drejt pranimit në BE nuk u lëkund nga një rezolutë e Parlamentit Evropian mbi çështjen e miratuar në mes të dhjetorit apo nga kritikat e fundit të ekspertëve të të drejtave të njeriut të OKB-së, të publikuar më 22 janar.
Sistemi i eksploatimit dhe trafikimit njerëzor nisi në Vietnam dhe përfundoi në Serbi, ka treguar një hulumtim i BIRN-it, duke u bazuar në kontratat që punëtorët nënshkruan me nënkontraktorët për LingLong si dhe duke u bazuar në të ashtuquajturat “forma angazhimi” që nënshkruan me agjensitë ndërmjetëse të rekrutimit përpara se të vinin në Serbi. Ndalimi i punës së sindikatave, “orari i rregullt” që tejkalon maksimumin sipas Ligjit të punës të Serbisë, ndëshkimet për pushimet mjekësore dhe paralajmërimet e rreme për ndëshkime për kryerjen e krimeve në Serbi janë vetëm disa nga çështjet problematike që i ngarkonin punëtorët vietnamezë që kishin kaluar me mijëra kilometra në kërkim të një pagese të denjë në Evropë.
Ekspertët e të drejtave të njeriut të OKB-së më 21 janar ngritën shqetësime serioze rreth punës së detyruar të punëtorëve vietnamezë në Serbi, të cilët, siç thanë ata, ishin viktima të mundshme të trafikimit të qenieve njerëzore. Ekspertët e OKB-së u kërkuan tre qeverive të Serbisë, Vietnamit dhe Kinës që të sigurojnë që bizneset e vendosura në territoret e tyre ose që veprojnë nën juridiksionin e tyre të respektojnë të drejtat e njeriut.
Pyetjet e BIRN-it për këtë çështje nuk morën përgjigje as nga institucionet serbe. Çështja e lejeve të punës për punëtorët vietnamezë ka mbetur gjithashtu e paqartë.
Ndërsa Ministria e Punës tha se 402 vietnamezë po punonin për kompani të ndryshme në kantierin e LingLong-ut, Enti Kombëtar i Punësimit i Serbisë (NZS) i tha një hulumtuesi në një përgjigje me shkrim se vetëm 176 nga vietnamezët kanë leje pune.
Referencat nga faqja Balkan Insight