Shkelja e Nenit 10 të Konventës për shkak të dënimit me kusht ndaj një feministeje

Në rastin Bouton kundër Francës (kërkesa nr. 22636/19, 13.10.2022) Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut ka gjetur njëzëri se ka pasur shkelje të Nenit 10 (liria e shprehjes) të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut. 

Rasti kishte të bënte me dënimin penal të kërkueses, aktiviste feministe që në atë kohë ishte anëtare e FEMEN-it, për aktet e “ekspozimit seksual” (ekspozitës sexuelle) të kryera në një kishë (La Madeleine) në Paris gjatë një “shfaqjeje” si protestë kundër qëndrimit të Kishës Katolike mbi abortin. Ajo mori dënim me kusht. 

Gjykata filloi duke përsëritur se vendosja e një dënimi me burg për një vepër penale në fushën e fjalës politike do të ishte në përputhje me lirinë e shprehjes siç garantohet nga Neni 10 i Konventës vetëm në rrethana të jashtëzakonshme, si, për shembull, në rastin e gjuhës së urrejtjes ose nxitjes së dhunës. Qëllimi i vetëm i kërkueses, e cila nuk ishte akuzuar për ndonjë sjellje fyese ose urrejtëse, kishte qenë të kontribonte në debatin publik për të drejtat e grave. 

Gjykata gjeti se sanksioni penal i vendosur ndaj saj për veprën penale të ekspozimit seksual nuk kishte për qëllim të ndëshkonte sulmin ndaj lirisë së ndërgjegjes apo fesë, por përkundrazi faktin se ajo kishte ekspozuar gjoksin në një vend publik. Ndërsa duheshin marrë parasysh rrethanat në lidhje me vendin dhe simbolet e përdorura prej saj, si elemente kontekstuale, për të vlerësuar interesat e ndryshme në fjalë, Gjykata arriti në përfundimin se gjykatat vendore nuk kishin qenë të detyruara, duke marrë parasysh akuzën, të peshonin të drejtën e kërkueses për lirinë e shprehjes kundrejt të drejtës për lirinë e ndërgjegjes dhe fesë sipas Nenit 9 të Konventës. 

Në fund, ndërsa gjykatat vendore nuk i kishin injoruar deklaratat e kërkueses gjatë hetimit penal, ato ishin kufizuar në shqyrtimin e faktit se ajo kishte ekspozuar gjoksin në një vend adhurimi, pa marrë parasysh mesazhin themelor të performancës së saj ose shpjegimet e dhëna nga aktivistët e FEMEN-it në lidhje me kuptimin e protestave të tyre me gjoks të ekspozuar. Në këto rrethana, Gjykata konstatoi se shkaqet e dhëna nga gjykatat vendore nuk kishin qenë të mjaftueshme që ajo të vlerësonte se dënimi i dhënë ndaj kërkueses, duke pasur parasysh natyrën e tij dhe ashpërsinë e efekteve të tij, ishte proporcional me qëllimet e ligjshme të ndjekura. 

Gjykata arriti në përfundimin se gjykatat vendore nuk kishin arritur ekuilibër, në mënyrë të përshtatshme, mes interesave në fjalë dhe se ndërhyrja në lirinë e shprehjes së kërkueses, në formën e një dënimi me kusht, nuk kishte qenë “e nevojshme në një shoqëri demokratike”. Andaj, ka pasur një shkelje të Nenit 10 të Konventës.

Referencat nga faqja zyrtare e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut