Shkelja e parimit të ne bis in idem në procedurat kundër kërkuesit për prishjen e qetësisë gjatë një ndeshjeje futbolli

Në rastin Velkov kundër Bullgarisë (kërkesa nr. 34503/10) Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut njëzëri ka gjetur se ka pasur shkelje të Nenit 4 të Protokollit Nr. 7 (e drejta për të mos u gjykuar apo ndëshkuar dy herë) të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut. 

Çështja kishte të bënte me ankesën e kërkuesit që ai ishte dënuar dy herë për të njëjtën vepër penale të prishjes së qetësinë gjatë një ndeshjeje futbolli. 

Gjykata vuri në dukje se veprimet e kërkuesit kishin prodhuar dy grupe të veçanta të procedurave, secila në lidhje me “akuzat penale”. Gjykata gjithashtu vuri re se shkeljet për të cilat ai ishte ndëshkuar në të dy grupet e procedurave kishin lidhje me të njëjtën sjellje të padrejtë që ndodhi gjatë së njëjtës ngjarje sportive. 

Të dy grupet e procedurave kishin filluar në të njëjtën kohë dhe ishin zhvilluar paralelisht deri më 29 maj 2008, kur procedurat administrative kishin përfunduar me një vendim të formës së prerë. Procedurat penale kishin vazhduar dhe kishin përfunduar më shumë se dy vjet dhe katër muaj më vonë, në tetor 2010. Në funksion të praktikës gjyqësore të saj, Gjykata konsideroi që kishte pasur një lidhje mjaft të ngushtë kohore midis dy grupeve të procedurave. 

Sa i përket ekzistencës së një lidhjeje thelbësore midis dy grupeve të procedurave, Gjykata vuri në dukje së pari se procedurat administrative dhe penale kishin ndjekur në thelb të njëjtin qëllim, pra për të ndëshkuar prishjen e qetësinë së shkaktuar nga kërkuesi gjatë ndeshjes së futbollit më 17 maj 2008. 

Gjykata i kushtoi një rëndësi të veçantë faktit që të dy grupet e procedurave kishin ndjekur të njëjtin qëllim ndëshkimor. Gjykata konsideroi në veçanti se, duke pasur parasysh mungesën e një lidhjeje mjaft të ngushtë në substancë midis procedurave administrative dhe penale kundër kërkuesit, ato procedura nuk mund të konsideroheshin pjesë e një skeme integrale sanksionesh sipas ligjit të brendshëm që synojnë luftimin e fenomenit të huliganizmit sportiv. Andaj, kërkuesi ishte ndjekur penalisht dhe ishte ndëshkuar dy herë për të njëjtën vepër, në shkelje të parimit ne bis in idem. Së këndejmi, kishte pasur shkelje të Nenit 4 të Protokollit Nr. 7 të Konventës.

Referencat nga faqja zyrtare e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut