02 Gus Shkeljet e Konventës në rastin e fundosjes së një varke emigrantësh
Në rastin Safi dhe të tjerët kundër Greqisë (kërkesat nr. 5418/15, 07.07.2022) Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut ka gjetur njëzëri se ka pasur shkelje të Nenit 2 (e drejta për jetë) dhe shkelje të Nenit 3 (ndalimi i trajtimit çnjerëzor ose degradues) të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut.
Rasti kishte të bënte me fundosjen më 20 janar 2014 të një varke peshkimi që transportonte 27 shtetas të huaj në detin Egje, pranë ishullit Farmakonisi, duke rezultuar në vdekjen e 11 vetave, duke përfshirë të afërmit e kërkuesve. Sipas kërkuesve, anija e rojës bregdetare po udhëtonte me shpejtësi shumë të madhe që t’i shtynte refugjatët përsëri drejt ujrave turke dhe kjo bëri që varka e peshkimit të fundosej. Sipas autoriteteve vendore, varka po tërhiqej drejt ishullit Farmakonisi për t’i shpëtuar refugjatët, dhe ajo u fundos për shkak të panikut dhe lëvizjeve të papritura të atyre që ishin në varkë.
Sa i përket hetimeve nga autoritetet vendore, Gjykata vërejti se ishte ngritur procedurë penale kundër rojeve bregdetare. Megjithatë, kërkuesit u ankuan për disa probleme me hetimin, si probleme të interpretimit kur ishin marrë deklaratat prej tyre. Ata deklaruan se të dhënat e pohimeve të tyre nuk pasqyronin përmbajtjen e tyre të vërtetë dhe se nuk kishin thënë kurrë se varka ishte fundosur si pasojë e lëvizjeve të papritura të atyre që ishin në bord në ngjarjet në fjalë. Ata gjithashtu ishin ankuar, në veçanti, se i gjithë operacioni në fjalë nuk ishte organizuar dhe kryer në mënyrë të tillë që të garantonte mbrojtjen e të drejtës së tyre për jetë dhe atë të të afërmve të tyre, se qendra e koordinimit dhe kërkimit nuk ishte informuar dhe se dispozitat e instrumenteve përkatëse ndërkombëtare nuk ishin respektuar. Gjykata gjeti se kishte patur mangësi në procedime dhe arriti në përfundimin se autoritetet vendore nuk kishin kryer hetim të plotë dhe efektiv, të aftë për të hedhur dritë mbi rrethanat në të cilat ishte fundosur varka.
Lidhur me masat pozitive për mbrojtjen e jetës, Gjykata gjeti se autoritetet greke nuk kishin bërë gjithçka që në mënyrë të arsyeshme mund të pritej prej tyre për t’u siguruar kërkuesve dhe të afërmve të tyre nivelin e mbrojtjes së kërkuar nga Neni 2 i Konventës. Pati disa situata në të cilat qeveria dështoi t’i mbronte kërkuesit. Nuk kishte asnjë shpjegim se si autoritetet kishin synuar të transportonin kërkuesit drejt vendit të sigurtë duke përdorur anijen PLS 136, e cila ishte varkë e shpejtë dhe nuk kishte pajisjet e nevojshme të shpëtimit.
Në fund, Gjykata gjeti shkelje të Nenit 3 lidhur me 12 nga kërkuesit që kishin qenë në bordin e varkës dhe që, pasi ishte fundosur, i ishin nënshtruar trajtimit degradues për shkak të kontrolleve trupore që kishin pësuar me të arritur në Farmakonisi. Gjykata gjeti se bastisja mund t’i kishte bërë këta kërkues të përjetonin ndjenjën e arbitraritetit, inferioritetit dhe ankthit duke rezultuar në një shkallë degradimi që tejkalon nivelin – e pashmangshëm dhe prandaj të tolerueshëm – që pashmangshmërisht përfshijnë bastisjet e tilla.
Referencat nga faqja zyrtare e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut