Të drejtat e Njeriut në Kohë Emergjencash – Roli i Gjyqësorit sipas Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut
Forumi i Nëntë Vjetor Rajonal i Shtetit të së Drejtës për Evropën Juglindore, i organizuar nga Qendra AIRE dhe Mbrojtësit e të Drejtave të Njeriut, do të zhvillohet në Tiranë, Shqipëri, më 25 dhe 26 nëntor 2022. Ngjarja mbështetet nga Mbretëria e Bashkuar (Zyra për Punë të Jashtme, Komonuelth dhe Zhvillim), Qeveria e Suedisë dhe Fondacioni Konrad-Adenauer.
Qëllimi i Forumit është promovimi i implementimit të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut në rajon, inkurajimi i bashkëpunimit rajonal në zhvillimin e vazhdueshëm të shtetit të së drejtës dhe të drejtave të njeriut, dhe ofrimi i ndihmës në procesin e integrimit të rajonit në Bashkimin Evropian. Forumi i vitit 2022 do të përqendrohet në mbrojtjen e të drejtave të njeriut në kohë emergjencash. Thuajse dy vjet më parë, në mes të pandemisë Covid-19, në Forumin tonë të vitit 2020 diskutuam rreth Covid-19 dhe të drejtave të njeriut. Në atë kohë kishte jurisprudencë të kufizuar (si në nivel evropian, ashtu edhe në nivel vendi) në lidhje me mbrojtjen e të drejtave të njeriut gjatë pandemisë, dhe Forumi ofroi mundësinë për të shqyrtuar se si procedurat ligjore dhe praktika ligjore ekzistuese mund të duhet të aplikohen për të mbrojtur të drejtat e njeriut karshi situatave dhe pyetjeve pa precedent që dolën në pah. Tani, dy vjet më pas, Forumi ofron mundësinë për të reflektuar në lidhje me zhvillime ligjore kyçe dhe mësimet e nxjerra gjatë kësaj periudhe. Po ashtu, Forumi do të sjellë edhe udhërrëfyesin tonë të përditësuar mbi Covid-19 dhe të drejtat e njeriut, i cili merr parasysh jurisprudencën përkatëse evropiane dhe vendase që është zhvilluar që nga fillimi i pandemisë e më tej. Këto çështje, si dhe përditësimet në udhërrëfyes, ofrojnë orientim të rëndësisë jetike në lidhje me çështjet që kanë të bëjnë me mënyrat se si duhen balancuar dhe mbrojtur të drejtat në kontekstin e pandemisë, por njëkohësisht kanë rëndësi edhe në kuptimin më të gjerë të mbrojtjes së të drejtave në kushtet e emergjencave në përgjithësi.
Prandaj, teksa jemi duke dalë nga pandemia, Forumi do të ofrojë mundësi për të diskutuar mësimet e nxjerra gjatë kësaj kohe pa precedent në lidhje me mbrojtjen efektive të të drejtave të njeriut në kohë emergjencash. Këtu përfshihen, për shembull, qasja e ndërmarrë nga Gjykata e Strasburgut në lidhje me shfrytëzimin e nenit 15 të KEDNj-së për të bërë derogim nga Konventa, roli i gjyqësorit në shqyrtimin e masave të emergjencës, dhe faktorë kyçë që duhen marrë në konsideratë kur balancohen të drejtat dhe interesat konkuruese në kontekstin e një emergjence, e po ashtu edhe mënyrat se si shfrytëzohen dhe si do të duhet të shfrytëzoheshin parime të tilla siç është ai i proporcionalitetit dhe subsidiaritetit në këtë kontekst. Të gjitha këto janë çështje të cilat kishin rëndësi të madhe gjatë pandemisë.
Megjithatë, përderisa ende vazhdojmë të përballemi me sfida dhe emergjenca të reja, siç është lufta në Ukrainë, është e qartë se të kuptuarit e këtyre çështjeve do të jetë i rëndësisë jetike për mbrojtjen e ardhshme të të drejtave të njeriut më përgjithësisht.