24 Pri Vizita e Komisioneres së Këshillit të Europës për të Drejtat e Njeriut në Serbi
Komisionerja e Këshillit të Europës për të Drejtat e Njeriut, Dunja Mijatoviq, deklaroi se “Ka ardhur koha që Serbia të përballet me trashëgiminë e së kaluarës, të mbrojë lirinë e mediave dhe lirinë e tubimit dhe të përmbushë angazhimet e saj për të drejtat e grave dhe barazinë gjinore” në përmbyllje të një vizite në Serbi, të zhvilluar nga 13 deri më 17 mars 2023.
Ndërsa vuri në dukje disa hapa pozitivë të ndërmarrë nga autoritetet serbe për të trajtuar mosndëshkimin për shkeljet serioze të të drejtave të njeriut të kryera gjatë konflikteve të viteve 1990, duke përfshirë një strategji të re të krimeve të luftës dhe forcimin e aftësisë së Zyrës së Prokurorisë së Krimeve të Luftës, Komisionerja mbetet e shqetësuar rreth përparimit të vogël të raportuar në këtë fushë. Mungesa e ekstradimit të kriminelëve të dënuar të luftës dhe të dyshuarve për krime lufte në vendet e tjera në rajon mbetet një tjetër pengesë në luftën kundër pandëshkueshmërisë. “Vetëm kur autorët e krimeve të luftës të sillen para drejtësisë, shoqëritë në rajon mund të fillojnë të shërohen, të pajtohen me të kaluarën e tyre të dhunshme dhe të ndërtojnë një të ardhme të bazuar në respektimin e të drejtave të njeriut dhe sundimin e ligjit”, tha Komisionerja. Komisionerja konstaton se, duke u dhënë kriminelëve të dënuar të luftës një platformë publike në Serbi për të promovuar pikëpamjet e tyre dhe për të mohuar krimet për të cilat u dënuan, autoritetet po dështojnë në detyrën e tyre për të siguruar llogaridhënie, për të ruajtur të drejtën e viktimave për të vërtetën dhe për të parandaluar përhapjen e gjuhës jotolerante dhe të urrejtjes. Tolerimi i muraleve që nderojnë kriminelët e luftës është një tjetër ilustrim fatkeq i kësaj. Organizatat e shoqërisë civile kanë identifikuar më shumë se 300 murale të tilla në tërë Serbinë dhe kohët e fundit u bënë thirrje autoriteteve t’i heqin ato.
Duke përshëndetur angazhimin e autoriteteve për të siguruar respektimin e lirisë së shprehjes dhe tubimit, si dhe një kornizë të fortë ligjore dhe institucionale në këtë fushë, Komisionerja vëren se siguria e gazetarëve dhe mbrojtësve të të drejtave të njeriut mbetet çështje shqetësuese. Rastet e mëparshme të vrasjeve të gazetarëve, duke përfshirë rastin e Slavko Quruvijas, duhet të zgjidhen dhe autorët, dhe ata që urdhëruan këto krime, duhet të sillen para drejtësisë.
Duke vënë në dukje përhapjen e fushatave të njollosjes, kërcënimeve dhe frikësimit dhe problemin e rritur të padive strategjike kundër pjesëmarrjes publike (SLAPP) që shënjestrojnë gazetarët, mbrojtësit e të drejtave të njeriut dhe organizatat e shoqërisë civile, Komisionerja u kërkon autoriteteve të mos kursejnë asnjë përpjekje për të krijuar një mjedis të sigurtë dhe të favorshëm për punën e mediave dhe shoqërisë civile.
Komisionerja shprehu më tej shqetësimet e saj në lidhje me diskursin mizogjen dhe diskriminues të përdorur nga disa politikanë dhe figura publike, dhe të promovuar nga media të caktuara, gjë që cënon politikat dhe veprimet e qeverisë që synojnë arritjen e barazisë gjinore. Sa i përket dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje, Komisionerja shpreh keqardhje që, 10 vjet pasi Serbia ratifikoi Konventën e Këshillit të Europës për Parandalimin dhe Luftimin e Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje (Konventa e Stambollit), dhe përkundër një kornize të mirë legjislative dhe politike, këto lloje të dhunës mbeten të përhapura, përfshirë edhe në hapësirën digjitale. Komisionerja vuri në pah nevojën për një përgjigje të koordinuar institucionale për të mbrojtur në mënyrë efektive gratë nga dhuna dhe për të ofruar mbështetje të menjëhershme dhe afatgjatë për viktimat.
Raporti i vizitës së Komisionerit është në përgatitje e sipër.
Referencat nga faqja e Këshillit të Europës