Covid-19 dhe Konventa Europiane për Drejtat e Njeriut

Më 16 dhe 17 tetor 2020, Aire Centre dhe Civil Rights Defenders organizojnë Forumin VII Rajonal të Sundimit të Ligjit për Europën Juglindore. 

Forumi do të ketë një konferencë qendrore ku do të marrë pjesë Presidenti i Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut, Komisioneri për të Drejtat e Njeriut i Këshillit të Europës, si dhe gjyqtarë dhe ish-gjyqtarë të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut. Përfaqësues nga mbarë rajoni do të takohen në sallat e vendeve të tyre në Beograd, Podgoricë, Prishtinë, Sarajevë, Shkup, Tiranë dhe Zagreb ku pjesëmarrës do të jenë Kryetarë të Gjykatave të Larta dhe Gjykatave Kushtetuese nga rajoni, Drejtorë Akademish dhe Institutesh të Trajnimeve Ligjore, dhe zyrtarë qeveritarë pranë Gjykatës së Strasburgut, përfaqësues organizatash joqeveritare dhe ekspertë të shquar ligjorë nga rajoni. 

Forumi do të jetë aktivitet interaktiv, ku pjesëmarrësit nga mbarë rajoni do të kenë mundësi të komunikojnë me njëri-tjetrin dhe të jenë pjesë e konferencës qendrore përmes videoteknologjisë.  Forumi i Sundimit të Ligjit mbështetet nga Zyra e Punëve të Jashtme dhe Komonuelthit të Mbretërisë së Bashkuar, Qeveria e Suedisë, Fondacioni Konrad Adenaur, dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Mbretërisë së Holandës.

Tema e Forumit këtë vit është Covid-19 dhe të drejtat e mbrojtura nga Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut. Pandemia Covid-19 është një nga krizat më të mëdha globale që nga Lufta e Dytë Botërore. Qeveritë në mbarë botën kanë ndërmarrë masa të paprecedentë për t’u përballur me sfidat e pandemisë si dhe për të kufizuar rreziqet e saj mbi jetën dhe shëndetin. Po kështu, është e hera e parë në historinë e Konventës që shumë shtete anëtare janë prekur njëkohësisht nga e njëjta situatë e jashtëzakonshme krize, e cila prek aq shumë të drejta të Konventës.  

Pandemia vuri në pah detyrimet pozitive të shteteve për mbrojtjen e jetës dhe të shëndetit, ndërsa masat, të tilla si mbyllja që u aplikua në përpjekje për të frenuar pandeminë dhe për të mbrojtur shëndetin ranë ndesh me shumë të drejta të Konventës. Për shembull, mbyllja e gjykatave, shkollave, objekteve të kultit dhe objekteve të hotelierisë kanë ngritur çështje që bien brenda të drejtës për gjykim të drejtë, arsim, liri fetare, gëzim të papenguar të pronës, derisa kufizimet e lëvizjes dhe të tubimeve kanë rënë ndesh me të drejtat e lirisë së lëvizjes, shprehjes, asocimit dhe zgjedhjeve të lira. 

Shihet qartë se pandemia Covid-19 ka ngritur çështje të reja juridike dhe sfida të reja në lidhje me balancimin e të drejtave. Prandaj, nuk ka dyshim se një sërë çështjesh të të drejtave të Konventës që lidhen me pandeminë shumë shpejt do të zënë vend mbi tavolinat e gjykatave të brendshme dhe gjykatave ndërkombëtare. Ndërsa natyra dhe ndikimi i pandemisë vazhdon të evoluojë, gjasat janë të mëdha që përgjigjet e gjyqësorit ndaj këtyre çështjeve do t’u vijnë në ndihmë shteteve të formësojnë përgjigjet e tyre ndaj pandemisë. Për këtë arsye, është thelbësore që personat të cilët merren me çështjet që lidhen me pandeminë të kuptojnë se çfarë kërkon GjEDNj-ja nga shtetet anëtare në një kontekst të tillë. Përveç ndihmës për t’i dhënë përgjigje një ankese të të drejtave të njeriut në raport me pandeminë Covid-19, kjo do të ketë ndikim edhe në zhvillimin e normave afatgjata të të drejtave të njeriut në fushën e shëndetit publik si dhe në kushtëzimin e efektivitetit të legjislacionit të të drejtave të njeriut në situata urgjente në një të ardhme të parashikueshme.

Të kuptuarit e praktikës gjyqësore aktuale dhe përkatëse të GjEDNj-së mund të ndihmojë për ofrimin e çelësit për t’i tejkaluar sfidat dhe ofrimin e një kornize të dobishme brenda së cilës mund të trajtohen çështjet e reja juridike. 

Forumi do të ofrojë mundësinë për të shqyrtuar se si praktika gjyqësore ekzistuese e GjEDNj-së mund të aplikohet në çështjet e reja dhe në situatat faktike të cilat dalin nga konteksti i pandemisë. Forumi mbledh së bashku ekspertë të fushës për të diskutuar për përmasat e detyrimeve pozitive të shteteve anëtare dhe kur saktësisht mund të shprehen këto detyrime. Forumi po ashtu do të nxisë diskutime lidhur me kërcënimet kryesore ndaj të drejtave të njeriut të dala nga konteksti i pandemisë dhe do të ofrojë mundësinë që pjesëmarrësit të ndajnë pikëpamjet e tyre lidhur me zgjidhjet më të mira praktike ndaj këtyre sfidave duke u bazuar në përvojën e tyre me trajtimin e pandemisë. Si gjithmonë, Forumi do të nxisë bashkëpunimin mes pjesëmarrësve për të gjetur zgjidhjet se si të menaxhohen sfidat me të cilat do të vazhdojmë të përballemi, apo sfidat që mund të dalin në të ardhmen.