Forumi i Dhjetë Vjetor Rajonal i Shtetit të së Drejtes për Evropën Juglindore, organizuar nga Qendra AIRE dhe Civil Right Defenders, do të mbahet në Sarajevë, Bosnje Hercegovinë më 10 dhe 11 nëntor 2023. Ky aktivitet mbështetet nga Agjensia Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar dhe Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar.
Forumi Rajonal i Shtetit të së Drejtës është një nga eventet më të rëndësishme të vitit për përfaqësuesit e sistemit gjyqësor, avokatët, praktikuesit e ligjit, dhe organizatat jo qeveritare në Ballkanin Perëndimor. Forumi synon të promovojë zbatimin në nivel kombëtar të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (KEDNJ), të inkurajojë bashkëpunimin rajonal, si dhe të ofrojë ndihmë në procesin e Integrimit të rajonit në Bashkimin Europian.
Këtë vit Forumi do të fokusohet në temën “Forumi i Dhjetë Vjetor Rajonal i Shtetit të së Drejtës për Evropēn Juglindore”. Diskutimet do të përqëndrohen në nenin 8, e drejta për respektimin e jetës private dhe familjare, në kontekstin e proceseve gjyqësore, duke marrë në konsideratë masat mbrojtëse sipas nenit 6, të drejtën për një proces te rregullt gjyqësor. Kjo përfshin edhe krijimin e një balance midis kërkesës për një proces gjyqësor transparent dhe kërkesës për të mbrojtur të drejtën e jetës private të palëve të përfshira në proces, duke marrë parasysh përshtatshmërinë dhe nevojën e anonimizimit të gjykimeve, dhe kur është e lejuar të pranohen dhe/ose mbështeten në përgjime apo të dhëna nga komunikimet elektronike.
Çështje të kësaj natyre janë aktuale në të gjithë Europën, pasi teknologjia është gjithnjë në zhvillim e sipër e për rrjedhojë transformon mënyrën se si ne hetojmë dhe ndjekim penalisht çështjet apo dhe mënyrën se si kryejmë procedurat gjyqësore.