Thirrjet për seancë të drejtuara përmes njoftimit publik nuk mjaftuan sipas Konventës

Në rastin Dridi kundër Gjermanisë (ankesa nr. 35778/11, 26.07.2018), Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut njëzëri ka gjetur se ka pasur shkelje: të Nenit 6, pjesa 1 dhe 3 (e drejta për gjykim të drejtë/e drejta për t’u mbrojtur vet ose përmes ndihmësit ligjor) të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut sa i përket thirrjes përmes njoftimit publik, si dhe shkelje të Nenit 6, pjesa 1 dhe 3 (b) dhe (c) (e drejta për gjykim të drejtë/koha dhe mjetet për mbrojtje/E drejta për t’u mbrojtur vet ose përmes ndihmësit ligjor) sepse avokatit të z. Dridi nuk iu dha mundësia e duhur ta përgatiste mbrojtjen e tij apo të merrte pjesë në dëgjim.

Rasti kishte të bënte me seancat për të cilat thirrja ishte bërë përmes njoftimit publik – duke e vendosur pusullën në tabelën e njoftimeve – sepse ankuesi kishte shkuar jashtë vendit dhe për shkak të kohës për ta përgatitur mbrojtjen për dëgjim dhe për të marrë pjesë në të.

Edhe pse ligji vendor gjerman lejon që thirrja për gjykatë të bëhet përmes njoftimit publik, në rastin konkret Gjykata ka gjetur se Gjykata Rajonale e dinte adresën e z.Dridi në Spanjë, dhe se nuk kishte pasur përpjekje të pasuksesshme që t’i dorëzohet thirrja. Përkundër dispozitës që dokumentet procedurale t’i dërgohen ankuesit me postë sipas Nenit 5 të Konventës së BE-së për Ndihmën e Ndërsjellë në Çështjet Penale, më 25 maj 2000 thirrja as nuk u dërgua në Spanjë as nuk iu komunikua z. Dridi në asnjë mënyrë tjetër përveç përmes njoftimit publik.

Gjykata theksoi se z. Arif kishte marrë vesh për datën e dëgjimit ditën para se ai të ndodhte dhe se kërkesa e tij për shtyerje ishte hedhur poshtë. Gjykata erdhi në përfundim se avokati nuk ishte thirrur në mënyrë të duhur, nuk kishte qenë në gjendje të merrte pjesë në dëgjim dhe nuk kishte pasur mundësinë ta analizonte dosjen e rastit përsëri. Si përfundim, Gjykata gjeti se të drejtat e z. Dridi sipas Nenit 6, pjesa 1 dhe 3 (c), dhe Nenit 6, pjesa 1 dhe 3 (b) dhe (c) ishin shkelur.

Referencat nga uebfaqja zyrtare e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut