Raporti i tetëmbëdhjetë për korrupsionin i Greco-s

Greco, organizatë e antikorrupsionit e Këshillit të Europës, ka publikuar Raportin XVIII të Aktivitetit të Përgjithshëm për vitin 2017.

Ky raport jep një pasqyrë të korrupsionit në Europë dhe në SHBA.  Ai përshkruan situata të caktuara që kanë të bëjnë me korrupsionin brenda shteteve, tregon për shkallën e zbatimit të rekomandimeve të Greco-s, si dhe jep shembuj të praktikave të mira si dhe shembuj të praktikave të këqija.

Kryetari i Greco-s, Marin Mrcela, zëvendëskryetar i Gjykatës Supreme të Kroacisë, ka thënë: “Viti 2017 ka qenë një ‘vit i errët’ për antikorrupsionin. Shumë dyshime për korrupsion apo veprime kundër ndershmërisë në institucione publike e private e kanë dëmtuar besimin e njerëzve në to. Gjykatësit janë pushuar nga pozita apo janë burgosur, ndërsa është cënuar puna e pavarur dhe e paanshme e prokurorëve; fushatat zgjedhore kanë qenë të ndotura me dyshime për korrupsion, ndërsa gazetarët të cilët mbulojnë çeshtjet e korrupsionit janë heshtur, burgosur apo vrarë”.

Edhe pse viti 2017 ka qenë vit i vështirë sa i përket luftës kundër korrupsionit, nuk është gjithçka e errët. Ka ende praktika të mira dhe vende që mund të shërbejnë si shembuj shumë të mirë, siç është Sllovenia. Gjykata Supreme në Slloveni është përgjegjëse për adoptimin e teknologjive të reja në gjyqësorin slloven. Regjistrat e gjykatave tani janë krejtësisht të digjitalizuar dhe në dispozicion të publikut, gjë që sjell rritjen e besimit në gjyqësorin e Sllovenisë.

Këtu mund ta lexoni raportin e plotë dhe të kuptoni më shumë për shkallën e korrupsionit në shtetet e tjera:  https://rm.coe.int/eighteenth-general-activity-report-2017-of-the-group-of-states-against/16807c0e91

Tags: