15 Maj Seanca e re dëgjimore në Dhomën e Madhe të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut
Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut mbajti një seancë dëgjimore më 3 maj 2018: Gjeorgjia kundër Rusisë (Kërkesa nr. 38263/08): lidhur me konfliktin e armatosur mes Gjeorgjisë dhe Federatës Ruse në gusht 2008 dhe pasojat e tij.
Kërkesa u dorëzua në Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut më 11 gusht 2008 sipas Nenit 33 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe u shoqërua me një kërkesë për masa të përkohshme sipas Rregullës 39 të Rregullores së Gjykatës. Më 12 gusht 2008, Kryetari i Gjykatës, në cilësinë e Kryetarit të Dhomës, vendosi të zbatojë Rregullin 39. Rregulli 39 i lejon Gjykatës që pas kërkesës së një Shteti ose një personi që ka një kërkesë në pritje, t’i kërkojë qeverisë përkatëse që përkohësisht të marrë ose të mos marrë masa të caktuara. Gjykata lëshon një urdhër sipas Rregullit 39 vetëm kur ekziston një rrezik i madh që mund të shkaktojë dëm serioz e të pandreqshëm. Zbatimi i Rregullit 39 që nga ajo kohë u zgjat disa herë dhe është ende në fuqi.
Ky rast ngriti çështje sipas Nenit 2 (e drejta për jetë), Nenit 3 (ndalimi i torturës, trajtimit çnjerëzor dhe poshtërues), Nenit 5 (e drejta për liri dhe siguri), Nenit 8 (e drejta për respektimin e jetës private dhe familjare) dhe Nenit 13 (e drejta për masa efektive) të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut, sipas Nenit 1 dhe 2 të Protokollit Nr. 1 (mbrojtja e pronës dhe e drejta për arsim), si dhe sipas Nenit 2 të Protokollit Nr. 4 (e drejta për lëvizje) të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut. Pas seancës dëgjimore në shtator 2011, një Dhomë në dhjetor 2011 e shpalli kërkesën të pranueshme, pa paragjykuar meritat e çështjes. Në prill të vitit 2012 Dhoma së cilës iu dorëzua rasti hoqi dorë nga juridiksioni në favor të Dhomës së Madhe. Gjykata dëgjoi gjithsej 33 dëshmitarë: 16 të thirrur përmes qeverisë së Gjeorgjisë, 11 përmes qeverisë së Federatës Ruse dhe gjashtë drejtpërdrejt nga Gjykata.
Referencat nga faqja zyrtare e Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut.