22 Qer Përgjimet masive të komunikimeve në Suedi në përputhje me standardet e Konventës
Në rastin Centrum för Rättvisa kundër Suedisë (kërkesa nr. 35252/08, dhe 19/06/2018) Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut ka gjetur njëzëri se nuk ka pasur shkelje të Nenit 8 (e drejta për të respektuar jetën private dhe familjare, shtëpinë dhe korrespondencën) të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut.
Parashtruesi pretendoi se legjislacioni dhe praktika suedeze në fushën e inteligjencës së sinjaleve kishte shkelur dhe vazhdonte të shkelte të drejtat sipas Nenit 8 (e drejta për të respektuar jetën private dhe familjare, shtëpinë dhe korrespondencën) të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut. Parashtruesi nuk kishte nisur procedura gjyqësore vendore, duke pretenduar sipas Nenit 13 (e drejta për mjete juridike efikase) se nuk kishte pasur mjet juridik efikas në Suedi për ankesat e tij lidhur me Konventën.
Gjykata konsideroi se legjislacioni në fjalë kishte një sistem të vëzhgimit sekret që potencialisht prekte të gjithë përdoruesit e telefonave celularë dhe të internetit, pa qenë të njoftuar. Po ashtu, nuk ekzistonte ndonjë mjet juridik vendor që ofronte baza të detajuara si përgjigje ndaj një ankuesi, i cili dyshonte se komunikimet e tij ose të saj ishin përgjuar. Mbi këtë bazë, Gjykata e pa të arsyeshme të ekzaminonte legjislacionin.
Firma ligjore mund të pretendonte se ishte viktimë e shkeljes së Konventës, megjithëse nuk kishte filluar ndonjë procedurë gjyqësore vendore apo pretendim konkret se ishin përgjuar komunikimet e saj. Vetë ekzistenca e legjislacionit nënkuptonte ndërhyrje në të drejtat e saj sipas Nenit 8.
Gjykata konkludoi se sistemi i mbledhjes masive të informacioneve në Suedi jepte garanci adekuate dhe të mjaftueshme kundër arbitraritetit dhe rrezikut nga keqpërdorimi. Në veçanti, fushëveprimi i masave të inteligjencës së sinjaleve dhe trajtimi i të dhënave të mbledhura ishin përkufizuar qartë në ligj, leja për përgjim duhet të merret me vendim gjyqësor pas një ekzaminimi të hollësishëm, dhe lejohej vetëm për komunikimet që kalonin përtej kufirit suedez e jo brenda Suedisë dhe mund të zgjaste më së shumti gjashtë muaj. Për më tepër, ekzistonte një numër trupash të pavarur, sidomos inspektorati, që kishin për detyrë mbikëqyrjen dhe shqyrtimin e sistemit. Në fund, mungesa e njoftimit për masat e vëzhgimit u kompensua me faktin se ka pasur një numër mekanizmash të ankesave në dispozicion, sidomos përmes inspektoratit, Ombudspersonit të Kuvendit, dhe Kancelarit të Drejtësisë. Për të ardhur deri në këtë përfundim, Gjykata mori parasysh diskrecionin e shtetit për mbrojtjen e sigurisë kombëtare, sidomos duke pasur parasysh kërcënimet aktuale nga terrorizmi global dhe krimet e rënda ndërkufitare. Prandaj, në këtë rast nuk ka patur shkelje të Nenit 8 të Konventës.
Referencat nga faqja zyrtare e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut.