14 Jan Autoritetet serbe kanë dështuar t’i sigurojnë të burgosurit mbrojtje nga abuzimi dhe trajtimi çnjerëzor dhe degradues
Në rastin e Gjini kundër Serbisë (kërkesa nr. 1128/16) Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut, njëzëri ka gjetur se ka pasur:
- Shkelje të Nenit 3 (Ndalimi i torturës dhe trajtimit çnjerëzor ose poshtërues) të Konventës për shkak të dështimit të autoriteteve për të mbrojtur kërkuesin nga keqtrajtimi nga të burgosurit e tjerë, dhe
- Shkelje e Nenit 3 të Konventës për shkak të mungesës së hetimit për ankesat e tij.
Kërkuesi u ankua gjatë periudhës së paraburgimit se ai iu nënshtrua sulmeve dhe poshtërimit nga të burgosurit e tjerë, duke përfshirë edhe dhunim pasi ishte droguar. Të burgosurit e tjerë pastaj kuptuan se ai ishte me origjinë kroate dhe shqiptare dhe pastaj e trajtuan edhe më keq.
Kërkuesi deklaroi se e nxitën të përleshej me një të burgosur tjetër dhe u rrah nga të burgosurit për shkak se kishte goditur një serb. Atë gjithashtu e detyruan të këndonte këngë nacionaliste serbe. Kokën dhe vetullat ia kishin rruar – që ishte shenjë në burg se ai ishte dhunuar. Ai deklaroi se rojet e dinin se çfarë po ndodhte, por ato nuk ndërmorën asnjë veprim.
Gjykata gjeti në veçanti se kërkuesi kishte bërë pretendime të besueshme se ishte viktimë e dhunës nga shokët e tij të qelisë. Stafi i burgut duhet ta kishte pasur të qartë në atë kohë se aty po ndodhte keqtrajtim, por ata nuk kishin ndërmarrë asnjë veprim për ta mbrojtur.
Shteti gjithashtu kishte dështuar të kryejë hetim ose të fillonte ndjekje penale lidhur me ankesat e tij, edhe pse autoritetet duhet të kishin qenë në dijeni për këtë, sepse ai fitoi kompensim në procedurat civile dhe u ankua në organe të ndryshme (Presidenti, Avokati i Popullit dhe Ministria e Drejtësisë) për atë që i kishte ndodhur, por asnjë hetim zyrtar nuk kishte ndodhur kurrë.
Referencat nga faqja zyrtare e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut