14 Jan Kufizimi i pjesshëm i të drejtës së prindërve për të refuzuar që fëmijët e tyre të ndjekin shkollën
Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut ka gjetur njëzëri se nuk ka pasur shkelje të Nenit 8 (E drejta për respektimin e jetës private dhe familjare) të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut në rastin Wunderlich kundër Gjermanisë (kërkesa nr. 18925/15, 10/01/2019). Rasti kishte të bënte me kufizimin e disa aspekteve të të drejtës së prindërve dhe largimin e katër fëmijëve nga shtëpia e tyre për tre javë, pasi kërkuesit vazhdimisht refuzuan t’i dërgonin fëmijët e tyre në shkollë, duke rrezikuar kështu interesat më të mirë të fëmijëve ndërsa ata po rriteshin në një “botë paralele”.
Duke u bazuar në Nenin 8, kërkuesit u ankuan ndaj vendimit të autoriteteve gjermane për të kufizuar pjesë të autoritetit të tyre prindëror duke i transferuar ato në zyrën për të rinj. Në veçanti, ata u ankuan për largimin me forcë të fëmijëve të tyre dhe vendosjen e tyre në shtëpinë e fëmijëve për tre javë.
Gjykata gjeti se zbatimi i ndjekjes së detyrueshme të shkollës për të siguruar integrimin e fëmijëve në shoqëri ishte arsye e rëndësishme për të justifikuar kufizimin e pjesshëm të autoritetit prindëror. Gjykata gjithashtu gjeti se autoritetet kishin menduar në mënyrë të arsyeshme se fëmijët ishin të izoluar, nuk kishin pasur kontakt me askënd jashtë familjes dhe se ekzistonte rrezik për integritetin e tyre fizik.
Gjykata gjeti se largimi i fëmijëve nuk kishte zgjatur më shumë se sa ishte e nevojshme për të siguruar interesat më të mirë të fëmijëve. Gjykata arriti në përfundim se kishte arsye “të përshtatshme dhe të mjaftueshme” për kufizimin e disa pjesëve të autoritetit të prindërve dhe largimin e përkohshëm të fëmijëve nga shtëpia e tyre familjare. Prandaj, Gjykata nuk gjeti shkelje të Nenit 8 të Konventës.
Referencat nga faqja zyrtare e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut