Vendimi i gjykatës që urdhëronte testin e ADN-së në çështjen e kundërshtimit të atësisë nuk shkeli të drejtën e privatësisë

Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut ka gjetur njëzëri se nuk ka pasur shkelje të Nenit 8 (e drejta për respektimin e jetës private dhe familjare) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në rastin Mifsud kundër Maltës (kërkesa nr. 62257/15).

Rasti kishte të bënte me ankesën e z. Mifsud lidhur me urdhrin e një gjykate për t’iu nënshtruar testit të ADN-së në një rast të kundërshtimit të atësisë. Një grua, X, filloi procedurën gjyqësore që ta shpallë z. Mifsud si babain e saj biologjik dhe kjo të vendosej në çertifikatën e saj të lindjes.

Gjykata gjeti se gjykatat kishin shqyrtuar kundërshtimet e z. Mifsud për të bërë testin në një gjykatë civile të shkallës së parë dhe në dy shkallë të juridiksionit kushtetues, duke i hedhur ato poshtë dhe duke urdhëruar procedurën.

Gjykata arriti në përfundimin se ajo që ishte e rëndësishme ishte se ankuesi kishte qenë në gjendje të merrte pjesë në gjykime, për të paraqitur argumente dhe për të marrë në pyetje dëshmitarët. Këto teste nuk binin ndesh me sundimin e ligjit dhe drejtësinë natyrore, sidomos duke pasur parasysh qëllimin legjitim të shtetit në këtë rast, që përmbush detyrimin e tij ndaj X sipas Nenit 8.

Gjykata gjeti se gjykatat vendore kishin barazpeshuar në mënyrë të duhur të drejtat e z. Mifsud dhe ato të gruas X, e cila po përpiqej të vërtetonte se ai ishte babai i saj, dhe nuk kishte pasur shkelje të Nenit 8.

Referencat nga faqja zyrtare e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut