Rritja e kërcënimeve ndaj gazetarëve në BeH

Përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Medias, Harlem Désir, dhe Shefi i Misionit të OSBE-së në Bosnjë dhe Herzegovinë, Bruce G. Berton, dënuan një varg kërcënimesh kundër gazetarëve në Bosnjë dhe Herzegovinë.

Në shkurt 2019, kryeredaktori i programit të lajmeve të Transmetuesit Publik (BHRT), Marko Radoja, mori një letër me mesazhe kërcënuese duke përfshirë kërcënime me jetë.

Sipas raporteve të mediave, Adnan Jasarspahic, gazetar i FTV-së dhe pronar i faqes së internetit Visoko.co.ba ngriti padi kundër dy personave të lidhur me një politikan vendas, për shkak se e kërcënuan në media sociale.

Gjithashtu, gazetarja Milkica Milojevic nga gazeta e përditshme EuroBlic në Banja Luka mori kërcënime përmes telefonit. Sipas raporteve, policia tashmë po i zhvillon hetimet lidhur me këtë rast.

“Këto kërcënime ndaj gazetarëve janë të papranueshme dhe duhet të dënohen në nivelin më të lartë. Autoritetet në Bosnjë dhe Herzegovinë duhet t’i shtojnë përpjekjet e tyre për të garantuar kushte të sigurta pune për ushtruesit e profesionit në media”, tha Désir, duke shprehur shpresën se të gjitha kërcënimet do të hetohen në mënyrë të duhur ndërsa autorët do të sillen para drejtësisë.

“Është e qartë se janë shtuar kërcënimet dhe incidentet që përfshijnë gazetarët, që nga fillimi i vitit, e që paraqet një tendencë shqetësuese. Autoritetet duhet t’i ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për të krijuar një mjedis që mundëson media vërtetë të lira dhe të pavarura, dhe t’i japë fund frikësimeve të gazetarëve “, tha Berton.

“Për zhvillimin demokratik të vendit është shumë me rëndësi të garantohet siguria e gazetarëve në çdo kohë dhe që mosndëshkimi të mos bëhet shprehi e zakonshme”, tha Désir.

Përfaqësuesi rikujtoi nevojën që Shtetet të respektojnë plotësisht vendimin e Këshillit Ministror të OSBE-së për Sigurinë e Gazetarëve, të miratuar në dhjetorin e kaluar në Milano.

Referencat nga faqja zyrtare e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE)