01 Mar Dështimi i shtetit t’i mbrojë të miturit nga trajtimi degradues në kampet e emigrantëve
Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut njëzëri ka gjetur se ka pasur shkelje të Nenit 3 (ndalimi i trajtimit çnjerëzor dhe degradues) të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut në rastin Khan kundër Francës (parashtresa nr. 12267/16, 28/02/2019).
Rasti kishte të bënte me dështimin e autoriteteve franceze t’i ofrojnë një të huaji të mitur pa përcjellje, Jamil Khan, shtetas afgan, kujdes para dhe pas largimit të kampit të improvizuar të vendosur në pjesën jugore të “lande de Calais”. Gjykata vuri re moshën e re të parashtruesit, që kishte arritur në Francë si 11-vjeçar. Ai ishte 12 vjeç kur pjesa jugore e “lande de Calais” ishte larguar dhe ai ishte larguar nga vendi.
Gjykata nuk ishte bindur se autoritetet kishin bërë gjithçka që me arsye do të pritej prej tyre për ta përmbushur obligimin e mbrojtjes dhe të kujdesit që i takon Shtetit kundrejt një të mituri pa përcjellje i cili ishte ilegalisht i pranishëm në territorin francez, pra një individi që i përket kategorisë së personave më të cënueshëm në shoqëri. Për muaj me radhë parashtruesi kishte jetuar në “lande de Calais”, në një mjedis krejtësisht të papërshtatshëm për statusin e tij si fëmijë.
Gjykata gjeti se kushtet jashtëzakonisht negative që mbretëronin në kampet e improvizuara dhe dështimi të zbatohej urdhri gjyqësor që kishte për synim të siguronte mbrojtje për parashtruesin përbënte shkelje të obligimeve të Shtetit, dhe rrjedhimisht ishte shkelur Neni 3 i Konventës. Gjykata konkludio se për shkak të dështimit të autoriteteve franceze të ndërmarrin veprime të nevojshme, parashtruesi u gjet në një situatë të ngjashme me trajtimin degradues.
Referencat nga faqja zyrtare e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut