Parada e Parë e Krenarisë në Bosnje e Herzegovinë

Aktivistët boshnjakë për të drejtat e njeriut njoftuan të hënën se Parada e Parë në Bosnje do të mbahet në shtator në kryeqytet, në Sarajevë dhe do të mbledhë pjesëtarë të komunitetit LGBTI nga i gjithë vendi.

“Bosnja më në fund po bëhet me Paradën e vet të Krenarisë, e cila do të mbahet më 8 shtator”, tha një grup aktivistësh që qëndrojnë prapa idesë së organizimit të paradës gjatë një konference shtypi në Sarajevë.

Branko Culibrk, një nga organizatorët e marshimit të Parë të Krenarisë në Bosnjë dhe Herzegovinë, tha se marshimi i krenarisë do të mbahet me moton “Ima izac” që do të thotë “Dikush do të dalë” – e cila është gjithashtu një shprehje që dikur përdorej në autobuzët e Bosnjës, kur udhëtarët i thonin shoferit të ndalonte në mënyrë që ata të mund të zbrisnin nga autobuzi.

“Marshimi i Krenarisë do të mbahet në qendër të qytetit, ku mbahen të gjitha protestat e tjera. I kemi paraqitur një kërkesë Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Transportit në Kantonin e Sarajevës më 1 prill, kështu që kemi një rrugë të gjatë përpara për të planifikuar dhe për të përcaktuar të gjitha aktivitetet e mëtejshme”, tha Culibrk.

Bosnja dhe Hercegovina mbetet prapa rajonit sa i përket tolerancës për të drejtat e homoseksualëve. Të qenurit gay ishte krim deri në vitin 1998 dhe asnjë ngjarje publike e krenarisë nuk ka ndodhur më parë për shkak të shqetësimeve në lidhje me sigurinë.

Përpjekjet e kaluara për të organizuar ngjarje publike LGBT kanë përfunduar me kaos dhe dhunë.

Kur komuniteti në Sarajevë u përpoq të organizonte festivalin e parë publik katër-ditor në shtator të vitit 2008, huliganët e prishën atë në ditën e parë.

Referencat nga faqja Balkan Insight