06 Maj Refuzimi i autoriteteve për të lejuar të paraburgosurin të marrë pjesë në varrimin e vëllait të tij çoi në shkelje të Nenit 8 të Konventës
Në rastin Vetsev kundër Bullgarisë (kërkesa nr. 54558/15, 30.04.2019) Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut ka gjetur njëzëri se ka pasur shkelje të Nenit 8 (e drejta për respektimin e jetës private dhe familjare) të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut.
Rasti kishte të bënte me refuzimin e autoriteteve bullgare për të lejuar z. Vetsev, i cili mbahej në paraburgim, të merrte pjesë në varrimin e vëllait të tij.
- Vetsev u arrestua dhe u vendos në paraburgim në Pazardzhik, një qytet rreth 120 km nga Sofja, me dyshimin për vjedhje. Kur z. Vetsev u informua se vëllai i tij kishte vdekur, ai menjëherë kërkoi nga gjykata leje për të marrë pjesë në varrimin e tij, që do të mbahej në Sofje më 26 shtator 2015. Në një seancë më 25 shtator 2015, gjykata fillimisht autorizoi transferimin e z. Vetsev nën paraburgim. Megjithatë, meqë shërbimi rajonal i sigurimit i Ministrisë së Drejtësisë tregoi se sipas teksteve ligjore, transporti nën paraburgim për të burgosurit mund të ofrohej vetëm me qëllim të paraqitjes së tyre para autoriteteve gjyqësore, gjykata shfuqizoi urdhrin e saj dhe refuzoi t’ia miratonte kërkesën z. Vetsev.
Gjykata specifikoi se Neni 8 i Konventës nuk i garanton një personi në mbajtje të drejtën e pakushtëzuar për të shkuar në varrimin të një të afërmi. Prandaj, u takonte autoriteteve vendore të shqyrtonin meritat e çdo kërkese. Nga ana tjetër, Gjykata ushtroi rolin e vet mbikëqyrës mbi masën e kontestuar nga perspektiva e të drejtave të garantuara me Konventë. Në vlerësimin e domosdoshmërisë së një mase të tillë, Gjykata kishte vlerësuar se faktorët relevantë përfshijnë rrezikshmërinë e të paraburgosurit dhe sjelljen e tij, natyrën e veprës në fjalë, garancitë e kthimit në burg dhe mundësinë e zgjidhjeve alternative për ta miratuar kërkesën e individit.
Gjykata gjeti se në këtë rast autoritetet bullgare kishin refuzuar kërkesën me arsyetimin se asnjë mundësi e tillë nuk ishte parashikuar sipas ligjit vendor, pa e bazuar vendimin e tyre në një shqyrtim të hollësishëm të rrethanave individuale dhe pa i peshuar interesat në fjalë, përkatësisht të drejtën e z. Vetsev për respektimin e jetës së tij private dhe familjare nga njëra anë dhe nevojën për të parandaluar trazirat dhe krimin në anën tjetër. Si rrjedhojë, Gjykata gjeti se nuk u dëshmua se ndërhyrja në të drejtën e z. Vetsev për respektimin e jetës private dhe familjare ishte e nevojshme në një shoqëri demokratike.
Referencat nga faqja zyrtare e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut