22 Maj Interpretimi i “rrezikut të madh” sipas të drejtës ndërkombëtare në një kontest për kujdestarinë e fëmijëve
Në rastin e O.C.I. dhe Të Tjerët kundër Rumanisë (kërkesa nr. 49450/17, 21.05.2019) Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut ka gjetur njëzëri se ka pasur shkelje të Nenit 8 (e drejta për respektimin e jetës private dhe familjare) të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut.
Rasti ka të bëjë me interpretimin e “rrezikut të madh” sipas të drejtës ndërkombëtare në një kontest për kujdestarinë e fëmijëve.
Kërkuesit janë znj. O.C.I. dhe fëmijët e saj, shtetas rumunë. Pasi i ka kaluar pushimet verore në Rumani në vitin 2015, znj. O.C.I. vendosi të mos kthehej te bashkëshorti i saj në Itali me fëmijët e saj. Babai i fëmijëve, shtetas italian, nisi procedurat për t’i kthyer fëmijët në Itali, vendbanimin e tyre të zakonshëm, duke u thirrë në Konventën e Hagës për Aspektet Civile të Rrëmbimit Ndërkombëtar të Fëmijës. Znj. O.C.I. e kundërshtoi këtë veprim, duke pretenduar se bashkëshorti i saj ishte i dhunshëm me fëmijët.
Në vitin 2018, gjykatat rumune pranuan kërkesën e babait për kthimin e fëmijëve. Gjykatat gjetën se fëmijët nuk i nënshtroheshin dhunës fizike nga babai i tyre, por se ka pasur disa raste të dhunës të cilat nuk përsëriteshin “aq shpesh për t’u konsideruar rrezik i madh”. Ato gjithashtu gjetën se, sido që të jetë, autoritetet italiane do të jenë në gjendje t’i mbrojnë fëmijët nëse shohin rrezikun nga keqtrajtimi.
Gjykata gjeti se gjykatat rumune kishin dështuar ta trajtonin sa duhet rrezikun e madh që fëmijët e kërkueses t’i nënshtroheshin dhunës në familje kur urdhëruan që fëmijët t’i kthehen babait të tyre në Itali, e që ishte një prej përjashtimeve të parimit sipas së drejtës ndërkombëtare se fëmijët duhet t’i kthehen vendbanimit të tyre të zakonshëm. Edhe nëse ka besim të ndërsjellë mes autoriteteve rumune dhe italiane për mbrojtjen e fëmijëve sipas legjislacionit të BE-së, kjo nuk nënkuptonte se Rumania ishte detyruar t’i dërgonte fëmijët në një mjedis ku ata ishin në rrezik, duke ia lënë Italisë të merret me keqtrajtimet eventuale.
Referencat nga faqja zyrtare e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut