11 Qer Vendimi për papranueshmërinë e rastit në lidhje me të drejtën e një interpreti në procedurën penale
Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut e ka shpallur njëzëri të papranueshme kërkesën në rastin Pula kundër Maqedonisë së Veriut (kërkesa nr. 48835/13, 06.06.2019) që kishte të bënte me kërkesën për interpret në një procedurë penale.
Kërkesi, Zenelabedin Pula, është shtetas shqiptar që jeton në Tiranë. Në vitin 2004, z. Pula ishte përfshirë në një aksident të drejtpërdrejtë në Maqedoninë e Veriut që si pasojë solli vdekjen e vozitësit tjetër. Në vitin 2006, gjykatësi hetues kërkoi raport lidhur me këtë aksident. Gjatë seancës, raporti u lexua me zë ndërsa kërkuesit iu dha një kopje. Përveç kësaj, atij iu ofrua edhe një interpret të gjuhës shqipe gjatë seancave gjyqësore. Në prill të vitit 2010, gjykata e shpalli kërkuesin fajtor, dhe e dënoi me tetë muaj burg. Vendimi u dërgua në apel. Z. Pula paraqiti apel në Gjykatën Supreme duke pretenduar se atij nuk i ishte ofruar interpret gjatë seancës më 3 shkurt 2010. Gjykata Supreme e mbështeti vendimin e gjykatave të tjera, duke thënë se dukej qartë nga lënda dhe shkresa e dorëzuar nga gjykatësi i lëndës se kishte ndodhur një gabim në procesverbalin e datës 3 shkurt 2010, dhe se interpreti në fakt i ishte ofruar palës mbrojtëse gjatë të gjitha seancave.
Duke u mbështetur në veçanti në Nenin 6 §§ 1 dhe 3 (e) (e drejta për gjykim të drejtë / e drejta për interpret) dhe Nenin 13 (e drejta për mjet efektiv), z. Pula u ankua se raporti i vitit 2006 dhe verdikti i gjykatës nuk ishin përkthyer në shqip dhe se atij i ishte mohuar e drejta për interpret të gjuhës shqipe në njërën prej seancave gjyqësore.
Gjykata gjeti se kërkuesi nuk kishte bërë ankesë në apel apo në kërkesën e tij për shqyrtimin e jashtëzakonshëm sa i përket mungesës së përkthimit në shqip. Ai e kishte bërë ankesën për mungesën e interpretimit për njërën prej seancave të këtij rasti. Por, gjykatësi i lëndës kishte dorëzuar një shkresë ku tregonte se ishte bërë një gabim në procesverbal të asaj seance dhe se interpreti në fakt ishte siguruar gjatë asaj dite. Gjykata rrjedhimisht gjeti se kërkesa e z. Pula ishte qartazi e pabazuar.
Referencat nga Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut